Transmetuar më 25-10-2026, 17:41

TIRANË, 25 Tetor 2026 — Pas tensioneve dhe akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestës së së shtunës në kryeqytet, qeveria shqiptare ka zyrtarizuar paketën e re ligjore të masave që synojnë parandalimin dhe ndëshkimin e anarkisë urbane.

Paketa e prezantuar mbështetet në standardet evropiane dhe praktikat e ndjekura nga vendet fqinje, duke u bazuar në parimin se protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari. Dokumenti përbëhet nga gjashtë instrumente kryesore që rregullojnë kompensimin e dëmeve, përgjegjësinë ligjore dhe rendin publik.

Gjashtë pikat e paketës së re ligjore:

Akti normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël

Ky akt siguron mbështetje financiare të menjëhershme për subjektet që u dëmtuan nga thyerjet, grabitjet apo zjarrit gjatë protestave, duke mbuluar nga 100% të dëmeve për bizneset më të vogla deri në minimumi 70% për ato me xhiron vjetore deri në 140 mijë euro. Bizneset që kanë dorëzuar dokumentacionin pranë Tatimeve përfitojnë pa pasur nevojë të presin proceset gjyqësore, ndërsa faturën e dëmit do ta paguajnë personat që dhunuan dhe u arrestuan ligjërisht, ose prindërit në rastin e të miturve.

Ligji i ri “Kush thyen, paguan”

Ky ligj përcakton bazën e qëndrueshme për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës në çdo tubim publik. Përgjegjësia financiare dhe administrative, përfshirë gjobat deri në 500 000 lekë, bie mbi çdo person që zgjedh të qëndrojë në një turmë të dhunshme pas paralajmërimeve të policisë. Rregulli përjashton gazetarët, mjekët, vëzhguesit, kalimtarët dhe punonjësit në detyrë.

Ndryshimet në ligjin “Për tubimet”

Ndryshimet e reja integrojnë mjetet digjitale dhe i japin policisë kompetenca më të gjera parandaluese, përfshirë vendosjen e perimetreve të sigurisë deri në 72 orë rreth institucioneve të ndjeshme, ndërhyrjen ndaj thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale, ndalimin e fshehjes së fytyrës (maskave) në tubime të dhunshme, si dhe sanksione të qarta për bllokimin e qarkullimit dhe mosbindjen ndaj forcave të rendit.

Regjistri i Posaçëm Elektronik

Krijohet një regjistër i administruar nga Policia e Shtetit për personat nën hetim ose të referuar për vepra penale kundër sigurisë publike. Policia Kufitare do të mund të refuzojë daljen ose hyrjen e tyre në vend, duke njoftuar gjithashtu autoritetet e huaja dhe kompanitë e transportit, për të parandaluar shmangien e drejtësisë.

Kodi i Etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar

Paketa parashikon pezullimin ose largimin nga detyra për çdo mësues që shfrytëzon autoritetin e tij për të nxitur, organizuar ose përfshirë nxënësit nën 18 vjeç në tubime, duke mbrojtur interesin më të lartë të fëmijës pa cenuar të drejtën e tyre personale për të protestuar.

Ndryshimet në Kodin Penal

Kodi Penal pasurohet me dispozita të reja që ashpërsojnë dënimet për shkatërrimin e pronës publike, goditjen e efektivëve të policisë me fytyrë të fshehur, nxitjen e dhunës në rrjetet sociale, kanosjen dhe përndjekjen online, shpërndarjen e videove të falsifikuara me inteligjencë artificiale, shantazhin ndaj funksionarëve publikë, si dhe rrezikimin e fëmijëve nga pakujdesia e kujdestarëve apo prindërve. Përjashtohen shprehimisht nga çdo ndëshkim protesta paqësore, kritika politike, satira dhe gazetaria.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit