

Kryeministri Edi Rama doli para pak me një deklaratë në platformën X ku fajësoi ish paraardhësin e tij Sali Berisha dhe pjesëmarrësit në protestë për plagosjen e të riut Erion Vishkulli të cilit i rrezikohet shikimi nga goditja me plumb gome në sy që i shkaktoi policia.
"Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje", thotë Rama në deklaratën ku përgjegjësinë e gjen te Berisha dhe vetë protestuesit, për reagimin policor që çoi në dëmtimin e Vishkullit.
"Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!", pyet Rama duke justifikuar kështu reagimin policor.
Në këtë pikë, sërish Rama gjen fajtorë dhe shigjeton mediat si përgjegjëse kur thotë: "lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur".
Megjithatë Rama njofton se është marrë "personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor".
Por sërish, Rama nuk ndalet në akuza kur shprehet: "U them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën: Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit!". Këtu Rama bën fakt të kryer se i riu e ka humbur shikimin.
Në fund të deklaratës së tij, Rama ka edhe një paralajmërim të mistershëm kur flet në emër të popullit: "Shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni". /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






