Transmetuar më 25-10-2026, 10:59

Policia e Tiranës tha sot se është vënë në kërkim të 30 të rinjve, të cilët i akuzon për dhunë në protestën e 12-të që bashkoi shumë njerëz ditën e shtunë.

Ata akuzohen se kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë, si dhe dëmtuan godina institucionesh shtetërore gjatë tubimit të djeshëm.

Për këto akuza, gjithashtu gjatë natës duke gdhirë e diela u arrestuan 23 të rinj, si dhe u proceduan penalisht 13 të tjerë.

"Gjatë protestës së djeshme, të zhvilluar në zona të ndryshme të kryeqytetit, punonjësit e Policisë së Shtetit u sulmuan për orë të gjata me gurë, vida e sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla. Si pasojë e sulmeve nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, disa punonjës Policie u plagosën dhe morën ndihmën mjekësore", tha policia.

Ajo nuk përmendi faktin tjetër se nga policia u hodhën pambarimisht plumba gome, gaz lotsjellës, ujë me presion si dhe u ushtruar dhunë e ashpër fizike dhe me shkopa gome.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, nën drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e djeshëm:

U arrestuan shtetasit J. B., 54 vjeç, L. B., 48 vjeç, D. Zh., 36 vjeç, Xh. M., 27 vjeç, M. S., 38 vjeç, K. F., 25 vjeç, V. L., 29 vjeç, E. Zh., 34 vjeç, Xh. M., 30 vjeç, A. E., 38 vjeç, R. K., 23 vjeç, E. N., 26 vjeç, M. Sh., 33 vjeç, R. H., 27 vjeç, B. O., 18 vjeç, E. N., 28 vjeç, L. N., 25 vjeç, O. A., 19 vjeç, J. Z., 35 vjeç, R. V., 31 vjeç, V. A., 20 vjeç, E. Xh., 39 vjeç dhe R. D., 31 vjeç;

Ndërkohë u proceduan penalisht 13 shtetas, si dhe u shpallën në kërkim 30 shtetas, tha policia e Tiranës.

Ajo shtoi se vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit