Transmetuar më 25-10-2026, 10:00

TIRANË, 25 Tetor 2026 — Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar bilancin zyrtar paraprak të personave të lënduar gjatë përplasjeve në protestën e së shtunës në Tiranë.

Sipas të dhënave të përditësuara në orën 09:15, në strukturat spitalore dhe poliklinikat e kryeqytetit janë paraqitur gjithsej 23 persona me dëmtime të ndryshme.

Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore 16 të lënduar, mes të cilëve 12 protestues, 2 përfaqësues të medias dhe 2 efektivë policie.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë trajtuar 1 deputet i Kuvendit, 1 protestues, 2 efektivë policie dhe 1 përfaqësues i medias, të cilët pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm janë larguar nga spitali.

Gjithashtu, 2 efektivë të tjerë policie kanë marrë trajtim në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2.

Vëmendja kryesore e ekipeve mjekësore mbetet te 28-vjeçari Erjon Vishkulli, i cili pësoi dëmtime të rënda në sy gjatë protestës.

Ministria bëri me dije se pasi i riu i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale të urgjencës gjatë ditës së djeshme, sot do të zhvillohet një konsultë e zgjeruar me një ekip të përbashkët profesionistësh nga SUT dhe QSUT për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të trajtimit të tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit