Transmetuar më 25-10-2026, 09:53

BARCELONË, 25 Tetor 2026 — Vala e trazirave socio-ekonomike që po përfshin Evropën ka goditur së fundmi edhe Spanjën. Incidente të rënda janë regjistruar të shtunën pasdite në qendër të Barcelonës, gjatë një proteste masive të organizuar përmes rrjeteve sociale nën sloganin “Kundër sistemit”.

Trazirat shkaktuan dëme të mëdha materiale, ku 14 biznese u dëmtuan dhe u plaçkitën nga protestuesit, ndërsa shkatërrimit nuk i shpëtuan as stacionet e autobusëve dhe infrastruktura publike. Situata e rënduar detyroi dhjetëra dyqane të mbyllnin dyert me urgjencë, duke lënë qindra blerës të bllokuar brenda ambienteve tregtare për arsye sigurie.

Për të marrë kontrollin e situatës u mobilizuan më shumë se 220 efektivë të policisë katalanase dhe Policisë Bashkiake, të cilët kryen më shumë se 100 arrestime. Autoritetet konfirmuan se rreth 25% e personave të ndaluar janë të mitur. Pjesa më e madhe e të rinjve ishin të veshur me të zeza dhe me fytyra të mbuluara, ndërsa tubimi ishte koordinuar në mënyrë të rrufeshme përmes platformave dixhitale, pa asnjë njoftim zyrtar paraprak.

Trazirat u përhapën me shpejtësi në disa nga zonat më kryesore dhe turistike të Barcelonës, përfshirë Plaça Catalunya, bulevardin ikonik La Rambla dhe rrugën tregtare Portal de l’Àngel. Autoritetet lokale kanë shtuar masat e sigurisë dhe praninë policore në të gjitha akset kryesore të qytetit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit