

TIRANË, 25 Tetor 2026 — Kryeministri Edi Rama ka përsëritur të dielën ftesën e tij për dialog me studentët dhe të rinjtë që po protestojnë në kryeqytet, përmes një postimi të ri në rrjetet sociale.
Kreu i qeverisë ka publikuar sërish pamjet e shilteve të vendosura përpara godinës së Kryeministrisë, duke sinjalizuar formën dhe gatishmërinë e ekzekutivit për t’u ulur në table bisedimesh me përfaqësuesit e lëvizjes protestuese.
Megjithatë, ndryshe nga ditët e mëparshme përpara zhvillimit të protestës masive — ku kryeministri shfaqej personalisht në videot e publikuara për t’iu drejtuar opinionit publik — këtë herë ai ka zgjedhur të mos dalë vetë në pamje, duke u mjaftuar vetëm me sekuencat e ambientit të përgatitur për dialog.
Reagimi i Ramës vjen fill pas tubimit të tensionuar të së shtunës në Tiranë, ku protesta e studentëve u shoqërua me përplasje të forta mes turmës dhe forcave të policisë. Nga ana e tyre, organizatorët dhe studentët vijojnë të refuzojnë ftesat e kryeministrit, duke këmbëngulur në kërkesën kryesore për dorëheqjen e tij dhe të kabinetit qeveritar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






