

TIRANË, 25 Tetor 2026 — Një histori e dhimbshme që gërsheton solidaritetin njerëzor me pasojat e rënda të dhunës në rrugët e kryeqytetit është bërë publike nga faqja “Evente_a_Kamëz”. Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Erjon Vishkulli, i cili vetëm një ditë përpara se të humbiste syrin e majtë nga goditja me plumb gome gjatë përplasjeve me policinë, kishte kryer një gjest bujarie ndaj një bashkëprotestuesi.
Sipas dëshmive të publikuara, Erjoni kishte vizituar vetëm 24 orë më parë Fadilin, një protestues që përballet me kushte të vështira ekonomike, duke e ndihmuar atë në mënyrë modeste dhe treguar një nivel të lartë humanizmi në mes të ditëve të trazuara të protestës.
28-vjeçari nga Elbasani, i njohur gjerësisht te rrethi i tij për ndjenjën e lartë patriotike dhe pjesë e grupimit "Tifozat Kuq e Zi", u plagos rëndë gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë në Tiranë. Përkrahësit dhe miqtë e tij kanë shprehur tronditjen dhe reagimet e tyre në rrjetet sociale pas konfirmimit se i riu ka humbur shikimin në syrin e dëmtuar.
Në mesazhin e publikuar nga “Evente_a_Kamëz”, ku kujtohet gjesti i tij i fundit përpara spitalizimit, shkruhet: “Dje Erjoni erdhi takoi Fadilin, i cili na tregoi se ende ka njerëz me shpirt të madh, me zemër të pastër dhe me një bujari që nuk përshkruhet me fjalë. Lutemi për ty sot, Erjon. Shpresojmë që bujaria jote të bëhet shkak që Zoti t’i kthejë sytë nga ty.”
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






