Transmetuar më 24-10-2026, 22:43

TIRANË, 24 Tetor 2026 — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një deklaratë urgjente për mediat nga selia e PD-së, ku i ka bërë thirrje masive çdo qytetari të bashkohet me qëndresën e të rinjve në rrugët e Tiranës ditën e nesërme.

Berisha e cilësoi revoltën e studentëve dhe të rinjve si lëvizjen më fisnike dhe më patriotike të viteve të fundit, ndërsa kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të organit të akuzës për dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit.

Lideri i opozitës u bëri thirrje drejtpërdrejt familjeve shqiptare që të ngrihen në mbrojtje të fëmijëve të tyre që po përballen me dhunën e forcave të rendit në sheshe:

"Çdo prind, çdo gjysh, gjyshe, nënë, baba, çdo qytetar do të ngrihet në këmbë në mbështetje të tyre. Pse po luftojnë ata? Ata po luftojnë për idealin më atdhetar. Po luftojnë që të qëndrojnë në vendin e tyre, të mos ikin siç kanë ikur mbi 750 mijë të tjerë. Ata po luftojnë pra që Shqipëria, që ky vend të banohet nga shqiptarë, nga kombi shqiptar dhe Shqipëria të quhet Shqipëri. Nuk ka luftë, nuk ka betejë më atdhetare, më fisnike, më patriotike se kjo."

Gjatë fjalës së tij, Berisha denoncoi me emra dhe raste të konkretizuara dhunën e policisë ndaj protestuesve, duke kërkuar reagim ligjor nga Prokuroria:

Berisha u ndal te dhjetëra raste të protestuesve të lënduar rëndë, duke përmendur thyerjet e eshtrave, dëmtimet në kokë dhe rastin e rëndë të Erjon Vishkullit që humbi syrin.

Kryedemokrati i bëri thirrje të prerë Prokurorisë të kryejë detyrën ligjore, të nisë hetimet dhe të vërë përpara përgjegjësisë penale efektivët dhe komanduesit që urdhëruan përdorimin e forcës brutale ndaj të rinjve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit