

Situata në protestën e zhvilluar në Tiranë është tensionuar më tej këtë të shtunë, në ditën e 12-të të saj. Gazi lotsjellës ka përfshirë Sheshin “Skënderbej” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa forcat e policisë po ndërhyjnë për të shpërndarë turmën.
Sipas raportimeve, protestuesit po tentojnë të riorganizohen për të vijuar marshimin në drejtim të Kryeministrisë, por janë përballur me përdorimin e gazit lotsjellës nga efektivët e policisë.
Dëmtohen dritaret e Bashkisë së Tiranës Më herët, një grup protestuesish kanë qëlluar me gurë dhe mjete të forta në drejtim të godinës së Bashkisë së Tiranës, duke thyer xhamat e dritareve të institucionit.
Incidenti është regjistruar në një moment kur tensionet në kryeqytet janë shtuar, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në disa zona të qytetit.
Pjesëmarrje e konsiderueshme në protestë Protesta e kësaj të shtune është karakterizuar nga një pjesëmarrje e konsiderueshme qytetarësh. Sipas raportimit, protestës i është bashkuar edhe Partia Demokratike (PD), duke shtuar numrin e pjesëmarrësve në tubim.
Ndërkohë, forcat e policisë vijojnë ndërhyrjet në disa pika të kryeqytetit, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit dhe për të menaxhuar situatën.
Deri në këto momente, nuk ka të dhëna të konfirmuara për numrin e personave të lënduar apo për dëme të tjera materiale përveç thyerjes së xhamave të Bashkisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






