

KORÇË — Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një kopsht të qytetit të Korçës, ku një edukatore është arrestuar nga Policia e Shtetit pas denoncimit dhe pamjeve filmike që dëshmojnë ushtrimin e dhunës ndaj një fëmije 4-vjeçar.
Nëna e të miturit, Volsjana Plasa, ka rrëfyer mes lotësh tmerrin e përjetuar nga i biri, i cili prej ditësh i ankohej për dhunë fizike dhe psikologjike nga stafi edukativ, përfshirë edhe mbylljen në një ambient të izoluar.
“Para katër ditësh, djali më është ankuar. Më ka thënë: ‘Mami, mësuesja më godet’. Kam shkuar atje dhe u kam thënë se fëmija ankohet që mësuesja e godeste. Ato më thanë: ‘Jo, se ky është fëmijë. Pse gënjen ti?’ Ia thanë djalit në praninë time. Ditën tjetër, gjatë rrugës djali më tha: ‘Mami, mos më shpëto, unë kam frikë, më godet mësuesja’. Ai më tregoi se e kishte futur edhe në qilar”, tregoi nëna e fëmijës.
Sipas rrëfimit të saj, përballja më e tensionuar ndodhi kur shkoi për ta marrë djalin nga kopshti dhe e gjeti atë në oborr nën presionin e edukatores.
“Kjo mësuesja e kishte kapur djalin për dore, e kishte shtrënguar dhe po i thërriste. Me atë që pashë unë, u tmerrova. I thoshte: ‘Ti pse gënjen? Janë kamerat aty, po s’të besohet? Hapni kamerat, të shikoni vetë’. Unë e lë fëmijën në kopsht per ta edukuar, jo që të dhunohet. I thashë se do të përballej me ligjin. E mora fëmijën dhe shkova drejt e në komisariat, ku bëra deklarimin tim në prani të policisë”, u shpreh ajo.
Plasa tregon gjithashtu se më parë kishte vërejtur edhe shenja fizike në trupin e të miturit, ndërsa u bëri thirrje institucioneve të ushtrojnë kontrolle të rrepta në kopshte.
“Në ditët e para të kopshtit, fëmija kishte një shenjë të kuqe në qafë dhe më tha se e goditi mësuesja. Në atë moment nuk i kushtova shumë vëmendje, por më pas gjithçka mori tjetër kuptim. Mirë që fëmija im foli dhe di të tregojë çfarë i ka ndodhur, po ata fëmijë që nuk flasin? Kush e di sa mund të kenë vuajtur. U lutem institucioneve arsimore të bëjnë kontrolle”, përfundoi Plasa.
Pas denoncimit të nënës dhe këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë, policia ekzekutoi arrestimin e edukatores, ndërsa materialet i kaluan prokurorisë për hetim të mëtejshëm.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






