

STRASBURG — Një grup prej 12 eurodeputetësh të Parlamentit Evropian, anëtarë të Komisionit të Jashtëm nga radhët e Partisë Popullore Europiane (PPE), i kanë drejtuar një letër zyrtare Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, ku kërkojnë hetime mbi përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit gjatë protestave në Shqipëri.
Përmes kësaj nisme të ndërmarrë nga kreu i delegacionit austriak të PPE-së, Reinhold Lopatka — ku bën pjesë edhe eurodeputeti Fredi Beleri — eurodeputetët ngrenë shqetësime mbi raportimet për përdorimin e plumbave të gomës, plagosjen e protestuesve e gazetarëve, si dhe shkeljen e të drejtave të të miturve të ndaluar gjatë tubimeve.
Eurodeputetët i kërkojnë Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të ndërhyjë drejtpërdrejt pranë autoriteteve shqiptare për të garantuar hetime të pavarura gjyqësore, të kërkojë garanci ligjore për personat e shoqëruar në bashkëpunim me Avokatin e Popullit, si dhe të kushtëzojë ecurinë e Shqipërisë në kuadër të negociatave për BE-në me llogaridhënien e policisë dhe respektimin e të drejtave themelore.
Letra e plotë:
Me iniciativën e kreut të Delegacionit Austriak të PPE-së, Reinhold LOPATKA Demonstratat në Shqipëri kundër korrupsionit, kostove të arsimit dhe pakënaqësive socio-ekonomike janë përshkallëzuar, duke ngritur shqetësime serioze lidhur me sjelljen e policisë.
Raportimet tregojnë se plumbat prej gome të qëlluar nga policia kanë plagosur protestues dhe gazetarë, ndërsa Avokati i Popullit në Shqipëri po heton domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e përdorimit të forcës nga policia. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime lidhur me mungesën e garancive të përshtatshme për të miturit e ndaluar.
Deklarata e Komisionit e datës 18 tetor e dënoi me të drejtë dhunën dhe bëri thirrje për proporcionalitet, por nuk trajtoi në mënyrë të mjaftueshme çështjen e llogaridhënies. Të drejtat themelore dhe përgjegjësia për shkeljet e pretenduara duhet të mbeten në qendër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Çfarë masash do të ndërmarrë Përfaqësuesja e Lartë, përmes Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), për të:
1. Ngritur drejtpërdrejt këto akuza pranë autoriteteve shqiptare dhe për të kërkuar hetime të pavarura, të paanshme dhe efektive mbi përdorimin e forcës nga policia, pengimin e gazetarëve dhe shkeljet e të drejtave të personave të ndaluar, përfshirë përgjegjësinë e drejtuesve të operacioneve policore, me publikimin e rezultateve dhe marrjen e masave të duhura gjyqësore ose disiplinore në vijim?
2. Kërkuar garanci, në bashkëpunim me Avokatin e Popullit në Shqipëri dhe përmes monitorimit të pavarur, që të gjithë personat e ndaluar, veçanërisht të miturit, të përfitojnë nga garancitë ligjore të kërkuara nga legjislacioni shqiptar dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut?
3. Siguruar që angazhimet në kuadër të Grupkapitullit 1 – Themeloret, veçanërisht ato që lidhen me llogaridhënien e policisë dhe të drejtat themelore, të ndiqen në mënyrë të qartë aty ku vazhdojnë të evidentohen mangësi, duke përcaktuar angazhime të matshme për parandalimin e shkeljeve të mëtejshme?
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






