

FIER — Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj shtetases Emanilda Rama e akuzuar për vrasjen e babait të saj Anesti Rama në banesën e tyre në fshatin Frashër të Patosit.
Sipas organit të akuzës, e dëmtuara akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi i ka shtrënguar të atit qafën me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.
Bashkë me të, në gjyq është dërguar edhe e ëma, shtetasja V.R., e cila akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Nga hetimet ka rezultat se pas krimit, bashkëshortja e viktimës ka pastruar ambientin e ngjarjes dhe ka larë trupin e të ndjerit përpara mbërritjes së policisë, me qëllim fshehjen e gjurmëve dhe prishjen e provave.
Provat mjeko-ligjore dhe këqyrja e vendit të ngjarjes kanë shërbyer për t’i kaluar të dyja shtetaset për gjykim zyrtar.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë Fier:
Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.R. për vrasjen e babait të saj dhe të ëmën për fshehjen e gjurmëve të krimit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’ parashikuar nga neni 79/a të Kodit Penal dhe shtetasen V.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, parashikuar nga neni 301 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve, mbi procedimin penal nr.1073/2025, rezultoi se më 23/07/2025, në banesën e familjes, në fshatin Frashër, Patos, shtetasja E.R. ka vrarë babain e saj, shtetasin A.R., duke i shtrënguar qafën me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.
Pas ngjarjes dhe përpara mbërritjes së shërbimeve të policisë, shtetasja V.R., bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës, ka kryer veprime për pastrimin e ambientit ku u gjet viktima dhe për larjen e trupit të tij. Këto veprime kanë pasur si qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Nga analiza e deklarimeve të administruara, rezultateve të ekspertimit mjeko-ligjor, këqyrjes së vendit të ngjarjes, sendeve të sekuestruara dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Pëtgjithshëm Fier arriti në përfundimin se shtetasja E.R. ka kryer veprimet që kanë sjellë vdekjen e babait të saj, ndërsa shtetasja V.R. ka kryer veprimet e mësipërme me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






