

PARIS, 23 Tetor 2026 — Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se nuk pret një përhapje të gjerë të virusit Shamonda, pas raportimit të vdekjes së një personi në Francë, në atë që konsiderohet rasti i parë i dokumentuar i infektimit të një njeriu nga ky virus.
Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, bëri me dije se të dhënat e deritanishme sugjerojnë se bëhet fjalë për një rast të izoluar, ndonëse organizata nuk ka përfunduar ende një vlerësim zyrtar të rrezikut.
Detajet e infektimit dhe gjendja shëndetësore e pacientit
Sipas Ministrisë Franceze të Bujqësisë, pacienti ndërroi jetë në fillim të muajit tetor në Francën lindore. Viktima vuante nga një imunodefiçencë e rëndë, çka sipas ekspertëve të Institutit “Friedrich Loeffler” në Gjermani ka lehtësuar depërtimin dhe shumimin e virusit në organizëm.
Dyshohet se burri u infektua nga pickimi i një insekti të vogël bartës, në një rajon ku më parë gjatë vitit kishin shpërthyer vatrat e para te kafshët.
Përhapja te kafshët dhe rreziku në Evropë
Virusi Shamonda deri më tani ishte identifikuar vetëm te kafshët, veçanërisht te gjedhët dhe kuajt, në disa vende evropiane si Gjermania, Austria, Zvicra, Belgjika, Holanda, Spanja dhe Italia.
Ekspertët mjekësorë sqarojnë se insekte bartëse janë aktive kryesisht nga muaji prill deri në nëntor, ndërsa transmetimi i virusit pëson rënie të ndjeshme me uljen e temperaturave gjatë muajve të dimrit. OBSH nërvijoi se rrethanat e plota të ngjarjes mbeten nën hetim, por nuk ka shenja për rrezik të lartë epidemik te njerëzit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






