

TIRANË, 23 Tetor 2026 — Një 20-vjeçar i ndaluar gjatë protestave të fundit në kryeqytet ka denoncuar publikisht trajtimin degradues dhe dhunën fizike e psikologjike të ushtruar, sipas tij, nga efektivët e forcave “Shqiponja” dhe punonjësit e policisë gjatë shoqërimit dhe qëndrimit në komisariat.
I riu pretendoi se është arrestuar nga pesë efektivë të maskuar, të cilët ushtruan dhunë fizike duke e goditur me shqelma, grushte dhe shkop kumagume në kokë, bark dhe këmbë, pa bërë asnjë rezistencë. Më tej, ai dëshmoi se gjatë transportit në furgonin e policisë, një prej efektivëve të maskuar ka kryer veprime ngacmuese ndaj një vajze të re të ndaluar, duke e prekur dhe puthur me forcë.
Sipas dëshmisë së të riut, dhuna fizike ka vijuar edhe brenda ambienteve të Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, ku pretendon se të ndaluarit janë goditur në hapësira pa kamera, si tualetet, duke shkaktuar dëmtime fizike te të arrestuarit.
I riu ngriti gjithashtu shqetësimin për akuzat penale të ngritura ndaj tij dhe protestuesve të tjerë pas ndalimit tri-ditor, ndërsa denoncoi heshtjen e institucioneve mbrojtëse të të drejtave të njeriut përballë këtyre pretendimeve grave.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






