Transmetuar më 23-10-2026, 18:53

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, nga San Patrignano e Italisë, njoftoi sonte se është frymëzuar nga takime me zyrtarë evropianë për të përgatitur masa të posaçme kundër protestave që shoqërohen me trazira si thyerje xhamash e shkatërrim bankash apo mikrokredish siç ka ndodhur së fundi në Tiranë.

Demo tha se zhvilloi diskutime me homologë evropianë, përfshirë përfaqësues nga Italia dhe Franca, mbi forcimin e sigurisë publike dhe parandalimin e dhunës.

"Në fokus të bisedimeve ishte edhe nevoja për masa konkrete për mbrojtjen e qytetarëve, institucioneve dhe pronës publike e private, duke u mbështetur në përvojat dhe praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian".

Në deklaratën për media pas takimeve, ministri Demo tha se garantimi i së drejtës kushtetuese për të protestuar duhet të shoqërohet me masa të vendosura për parandalimin e dhunës dhe ruajtjen e rendit e sigurisë publike.

"Zhvillimet e fundit në Shqipëri kanë nxjerrë në pah nevojën për të ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e sigurisë publike dhe parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës.

Italia ka ndërmarrë masa konkrete në këtë drejtim, ashtu si dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian. Ne po i shqyrtojmë me vëmendje këto përvoja për të forcuar instrumentat ligjorë dhe kapacitetet tona institucionale", tha Demo dhe shtoi:

"E drejta për të protestuar nuk është e drejtë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë, apo për të shkatërruar pronën publike, si dhe atë private.

Ne do të garantojmë lirinë e protestës, por njëkohësisht do të marrim të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë e çdo qytetari në të gjithë territorin e Shqipërisë, sepse mbrojtja e të drejtës për të protestuar dhe mbrojtja e sigurisë publike janë dy detyrime që duhet të ecin së bashku", paralajmëroi Demo.

Gjithsesi ai nuk sqaroi se për çfarë masash konkrete bëhet fjalë për të cilat ai dhe qeveria ku bën pjesë shpreson të shtypë protestat e studentëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit