

Autoritetet italiane kanë zbuluar një plantacion të brendshëm me 1.206 bimë kanabisi në Coassolo Torinese, me një vlerë të përllogaritur mbi 1 milion euro në tregun e paligjshëm. Në kuadër të operacionit është arrestuar një shtetas shqiptar, ndërsa pesë të tjerë janë vënë nën hetim.
Sipas Medita italiane plantacioni ishte ngritur brenda një magazine të izoluar, të pajisur me sisteme ndriçimi, ventilimi dhe ngrohjeje për kultivimin e bimëve. Ambienti ndodhej në një zonë të rrethuar nga pyje.
Shqiptari i arrestuar, banues në Asti, është dërguar në burgun e Ivreas. Ndërkohë, magazina dhe pajisjet e përdorura për kultivimin e kanabisit janë sekuestruar nga autoritetet.
Hetimi kishte nisur në janar të vitit 2026 nga Njësia Hetimore e Karabinierëve të Astit, nën drejtimin e Prokurorisë së Republikës së këtij qyteti. Në fokus të tij është një grup personash me origjinë shqiptare, të dyshuar për trafik droge dhe mbajtje të paligjshme armësh.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm u regjistrua më 20 prill 2026, kur gjatë kontrolleve në dy prona në dispozicion të një 47-vjeçari shqiptar u sekuestruan rreth 22 kilogramë kokainë, pesë pistoleta, një silenciator artizanal dhe mbi 200 fishekë.
Sipas hetuesve, kokaina e sekuestruar përfaqësonte dhjetëra mijëra doza, me një vlerë prej disa milionë eurosh në tregun e paligjshëm. Gjatë kontrolleve u gjetën gjithashtu materiale që dyshohet se përdoreshin për peshimin dhe paketimin e lëndës narkotike.
Më 21 korrik 2026, pesë persona të tjerë me origjinë shqiptare u identifikuan dhe u referuan për procedim penal për përfshirjen e dyshuar në aktivitetet që po hetohen.
Kontrollet vijuan më 20 tetor, kur autoritetet italiane kryen 13 kontrolle të autorizuara nga organet gjyqësore në Asti, në disa komuna të provincës dhe në Coassolo Torinese. Gjatë tyre, në një banesë u gjet një sasi e vogël lënde narkotike, ndërsa në një tjetër u sekuestruan 100 fishekë për armë zjarri.
Vëmendjen e hetuesve e tërhoqi edhe konsumi i lartë i energjisë elektrike në magazinën ku kultivoheshin bimët. Sipas vlerësimeve të personelit të rrjetit elektrik, impianti i lidhur në mënyrë të paligjshme konsumonte nga 80 deri në 100 kilovat-orë energji në ditë, e përdorur për ndriçimin, ventilimin, ngrohjen dhe kontrollin e temperaturës.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetet e dyshuara dhe rolin e personave të përfshirë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






