

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar publikisht pas deklaratës së studentit të Mjekësisë, Jon Sulejmeri, duke e cilësuar reagimin e tij ndaj akuzave të kryeministrit Edi Rama si një goditje direkte ndaj manipulimeve të pushtetit.
Përmes një deklarate për mediat, Berisha dënoi publikimin e fotove dhe akuza-shpifjeve nga ana e kreut të qeverisë ndaj të rinjve, ndërsa krahasoi sjelljen e ekzekutivit me atë të regjimeve diktatoriale që kërkojnë të nxisin përplasje sociale.
“Përgjigjen më të shkëlqyer ia dhanë sot nga protesta e mjekësisë. Doli studenti, unë jam, tha. Çfarë ishte ai? Ai ishte student me të gjitha dhjeta. Dhe ky e paraqiste atë si kriminel. Ky nuk ka nder, nuk ka fëmijë, nuk ka familje, nuk ka asgjë. Ftoj shqiptarët të krahasojnë fytyrën e këtij studenti guximtar me surratin e një diktatori”, deklaroi Berisha.
Lideri i opozitës ngriti alarmin se dhuna policore dhe përndjekja e të rinjve po çon vendin drejt një konflikti civil, duke pretenduar madje se ka protestues të plagosur që i shmangen spitaleve nga frika e arresteve. Berisha paralajmëroi se familjarët dhe qytetarët nuk do ta tolerojnë më presionin shtetëror ndaj lëvizjes studentore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






