

TIRANË — Studenti i Mjekësisë, Jon Sulejmeri, i është përgjigjur publikisht kryeministrit Edi Rama gjatë ditës së 11-të të protestës, pasi fotografia e tij u përfshi në listën e publikuar nga kreu i qeverisë nën akuzën për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
I riu hodhi poshtë pretendimet e ekzekutivit duke treguar dokumentacionin e notave të tij, ku rezulton student ekselent me mesatare 10.0, ndërsa e cilësoi deklaratën e kryeministrit si një përpjekje të qëllimshme për të diskredituar lëvizjen rinore.
“Zoti kryeministër ka dalë sot dhe më ka akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh. Shikojeni të gjithë. Jam student i Mjekësisë, e kam të shkruar dhe s’e di se çfarë legjendash me mbret shpik ky. Na ka akuzuar dhe na ka quajtur neokomunistë. Dua të tregoj dhe notat që kam marrë, 10.0. Këto janë përpjekjet e fundit të diktatorit”, deklaroi Sulejmeri.
Studenti konfirmoi gjithashtu se është shoqëruar nga forcat e rendit për shtatë orë e gjysmë gjatë javës së kaluar, ndërsa u shpreh skeptik për ndjekjen e rrugës ligjore ndaj deklaratave të kryeministrit, duke e cilësuar të kotë denoncimin pranë institucioneve aktuale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






