

Tiranë, 23 tetor 2026 – Dëmet materiale të shkaktuara në biznese gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë vlerësohen në 2.15 milionë euro. Deri tani, administrata tatimore ka identifikuar 127 subjekte të prekura, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Nga bizneset e evidentuara, 55 janë identifikuar përmes verifikimeve të kryera në terren nga administrata tatimore, ndërsa 72 të tjera kanë raportuar dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”.
Procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve vijon, si nëpërmjet kontrolleve në terren, ashtu edhe përmes shqyrtimit të të dhënave të deklaruara nga vetë subjektet tregtare.
Sipas administratës tatimore, puna synon përditësimin dhe saktësimin e informacionit mbi dëmet e shkaktuara në ambiente dhe njësi tregtare.
Tatimet u kanë bërë thirrje bizneseve të prekura që të përdorin shërbimin “Dëmi im”, të aksesueshëm përmes portalit e-Albania, për të deklaruar dëmet e pësuara në aktivitetin e tyre.
Protestat e ditëve të fundit në kryeqytet kanë shkaktuar dëmtime në ambiente tregtare dhe humbje materiale për bizneset. Vlerësimi i dëmeve pritet të vijojë me mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave të raportuara nga subjektet e prekura.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






