Transmetuar më 23-10-2026, 09:44

Dibër, 23 tetor 2026 – Tre persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Start 3”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin përgatitnin dhe shisnin kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Burrelit.

Operacioni u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, pas një hetimi të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës.

Në pranga ranë A. M., 27 vjeç, dhe D. Gj., 55 vjeç, banues në Sanxhak të Laçit, si dhe N. Gj., 72 vjeç, banues në Burrel.

Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesat e të arrestuarve, policia gjeti dhe sekuestroi 94.70 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 19 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 13 telefona celularë dhe dy peshore elektronike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu një automjet dhe një orë dore e markës “Rolex”.

Sipas hetimeve paraprake, tre të arrestuarit dyshohet se vepronin në bashkëpunim për përgatitjen dhe shitjen e kokainës në zona të ndryshme të Burrelit. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit