Transmetuar më 23-10-2026, 09:26

Tiranë, 23 tetor 2026 – Sekretariati i Etikës në Kuvend do të mblidhet sot në orën 10:00, në një mbledhje online, për të shqyrtuar kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për përjashtimin e 20 deputetëve të Partisë Demokratike.

Kërkesa lidhet me përplasjet dhe tensionet e krijuara gjatë seancës plenare të së enjtes, ku pati debate të ashpra dhe përplasje fizike mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.

Për gjashtë deputetë të PD-së që, sipas socialistëve, kanë pasur rol në incidentet fizike, kërkohet masa e përjashtimit për dy muaj nga Kuvendi. Bëhet fjalë për Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Edi Palokën, Fidel Krekën, Luçiano Boçin dhe Besart Xhaferrin.

Në kërkesën drejtuar Sekretariatit të Etikës pretendohet se Flamur Noka ka sulmuar fizikisht kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshin, dhe kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ndërkohë, deputeti Fidel Kreka akuzohet se ka goditur me bllokun e votimit ish-ministrin Ervin Hoxha.

PS pretendon gjithashtu se Belind Këlliçi, Besart Xhaferri, Edi Paloka, Fidel Kreka dhe Luçiano Boçi kanë fyer dhe goditur me shishe uji deputetë të Partisë Socialiste gjatë procesit të votimit.

“Siç vërehet nga pamjet filmike, deputetët Ervin Hoxha, Arkend Balla, Fadil Nasufi, Agron Malaj, Bujar Rexha etj. janë sulmuar dhe fyer nga këta deputetë gjatë procesit të votimit”, thuhet në kërkesën e socialistëve.

Për 14 deputetët e tjerë demokratë, PS kërkon një masë më të lehtë, prej 10 ditësh përjashtim nga Kuvendi. Sipas kërkesës, roli i tyre ka qenë kryesisht bllokimi i foltores dhe pengimi i zhvillimit normal të seancës plenare.

Në këtë grup përfshihen Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.

Pavarësisht tensioneve dhe përplasjeve në sallën e Kuvendit, gjatë seancës së djeshme u miratuan gjashtë projektligje dhe tre projektvendime.

Mes vendimeve të miratuara ishte edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit