

Tiranë, 23 tetor 2026 – Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog me protestuesit, në ditën e katërt të protestave, duke deklaruar se është i gatshëm të takohet me ta “në çdo vend dhe në çdo orë”.
Përpara godinës së Kryeministrisë janë vendosur tetë stola prej guri, ndërsa Rama e ka shoqëruar këtë veprim me një tjetër ftesë publike për dialog ndaj atyre që kanë qëndrime të ndryshme.
“Përsëri, e përsëri e përsëri ftesa për dialog dhe gatishmëria për të qenë me këdoqoftë që kërkon dhe beson në dialog, është këtu. Jam i gatshëm kudoqoftë, në çdo vend dhe në çdo orë me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë më e mirë dhe se Shqipëria bëhet më e mirë me njerëzillëk, me shkëmbim dhe ballafaqim pikëpamjesh, sado të kundërta”, deklaroi Rama.
Kryeministri u shpreh se kundërshtitë politike dhe shoqërore duhet të adresohen përmes dialogut dhe jo dhunës. Ai paralajmëroi njëkohësisht se personat që kanë dëmtuar pronën publike dhe private gjatë protestave do të përballen me ligjin.
“Kundërshtia e dhunshme, me forcë, që bie ndesh me fillin e arsyes, nuk i imponohet dot domosdoshmërisë për dialog, për ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta dhe për bashkëjetesë demokratike”, tha kryeministri.
Rama i cilësoi protestat e dhunshme si një përpjekje për t’iu imponuar shoqërisë përmes forcës, ndërsa akuzoi persona të maskuar se janë vënë në krye të protestuesve duke vepruar, sipas tij, në emër të interesave të tjera.
“Kush e mori peng kryeqytetin, duke eksportuar terrorin e Antifës dhe duke bërë këtu lojën e të tjerëve në emër të studentëve e duke u vënë në ballë të studentëve përmes fytyrës së mbuluar, duhet ta dijë se do të përgjigjet ligjërisht, penalisht, sipas shkallës së shkeljes së bërë”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se përdorimi i dhunës dhe dëmtimi i pronës nuk mund të shërbejnë si mjete për të ndryshuar drejtimin e vendit.
Ai përsëriti gjithashtu bindjen se Shqipëria do të vijojë rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon. Shqipëria do të vazhdojë drejt dhe do të çojë në majën e ëndërruar flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut dhe Shqipëria do të jetë pjesë e atij Bashkimi Europian”, deklaroi Rama.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






