

Edi Rama përsërit ftesën për dialog me këdo që beson te ballafaqimi i pikëpamjeve, por paralajmëron masa ligjore dhe penale për ata që, sipas tij, kanë kryer akte dhune gjatë protestave. Kryeministri përdori gjithashtu akuza të përsëritura për “ANTIFA-n” dhe tha se rruga e Shqipërisë drejt BE-së nuk do të ndryshojë
Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka përsëritur sërish ftesën për dialog, duke deklaruar se është i gatshëm të takohet “kudo dhe në çdo orë” me ata që besojnë te ballafaqimi i pikëpamjeve dhe te zgjidhja e mosmarrëveshjeve përmes komunikimit.
“Përsëri e përsëri, e përsëri ftesa për dialog dhe gatishmëria për të qenë me këdoqoftë që kërkon dhe beson në dialog është këtu”, deklaroi Rama.
Sipas tij, Shqipëria mund të bëhet më e mirë përmes “njerëzillëkut, shkëmbimit dhe ballafaqimit të pikëpamjeve”, edhe kur ato janë të kundërta.
Në të njëjtën kohë, kryeministri u ndal edhe te incidentet e dhunshme gjatë protestave, duke paralajmëruar se personat që kanë kryer shkelje do të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Rama përdori gjithashtu akuza të forta ndaj personave që, sipas tij, “morën peng kryeqytetin”, duke i lidhur me atë që ai e cilësoi si “terrori i ANTIFA-s” dhe “lojë e të tjerëve”. Këto janë deklarata dhe akuza të kryeministrit.

“Kush e mori peng kryeqytetin, duke eksportuar këtu terrorin e ANTIFA-s dhe duke bërë këtu lojën e të tjerëve në emër të studentëve, duhet ta dijë se do të përgjigjet”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se përgjegjësia do të jetë “ligjore dhe penale”, sipas shkallës së shkeljes së kryer.
Kreu i qeverisë deklaroi gjithashtu se dhuna dhe përdorimi i forcës nuk mund t’i imponohen pjesës tjetër të shoqërisë dhe se, sipas tij, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk do të ndryshojë.
“Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon”, tha Rama, duke e lidhur mesazhin e tij edhe me objektivin e integrimit europian. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






