Transmetuar më 23-10-2026, 07:33

TIRANË, 23 Tetor 2026 — Kursi i këmbimit të monedhës europiane ndaj leksut ka vijuar rënien agresive, duke u kuotuar në nivelin e 90.64 lekëve sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. Kjo shënon kuotën më të ulët të regjistruar ndonjëherë në tregun valutor, me një zhvlerësim vjetor prej 6.2% që përfaqëson ritmin më të lartë të rënies në tre vitet e fundit.

Faktorët kryesorë: Turizmi, investimet dhe orientimi drejt leksit

Ekspertët e tregut e shpjegojnë këtë prirje me mbiofertën e valutës dhe rritjen e flukseve hyrëse, të cilat udhëhiqen nga sektori i turizmit dhe investimet e huaja direkte. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, investimet e huaja arritën vlerën e 1.144 miliardë eurove, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, deficiti i llogarisë korrente është uulur me 41%, falë rritjes së eksporteve të shërbimeve dhe remitancave.

Nga ana tjetër, kërkesa e brendshme për euro paraqitet e dobët. Kjo e dhënë reflekton zbehjen e besimit të publikut te monedha europiane pas një cikli të gjatë zhvlerësimi, çka ka nxitur kuotimin e pronave të paluajtshme në lekë dhe rritjen e kreditimit në monedhën vendase. As trazirat e protestave të javëve të fundit nuk kanë sjellë rritje të kërkesës për euro, siç ka ndodhur historikisht gjatë periudhave të pasigurisë politike.

Banka e Shqipërisë rrit blerjet masive të valutës

Për të frenuar presionet mbi zhvlerësimin e mëtejshëm të euros, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar ndërhyrjet në tregun valutor. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, banka qendrore ka blerë gjithsej 663.6 milionë euro, nga të cilat 524 milionë euro u tërhoqën nga tregu vetëm në tremujorin e dytë (një rritje prej 224% me bazë vjetore).

Këto ndërhyrje ndjekin trajektoren e blerjeve masive të nisura që prej vitit 2024, periudhë gjatë së cilës autoriteti monetar ka blerë më shumë se dy miliardë euro për të stabilizuar tregun.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit