Transmetuar më 22-10-2026, 13:38

TIRANË — Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar publikisht pretendimet e shpërndara në rrjetet sociale lidhur me dërgimin e mesazheve ndaj mësuesve e pedagogëve, lajmet për dorëheqje masive në radhët e uniformave blu, si dhe aludimet për dërgimin e të burgosurve të huaj në Rinas.

Në një deklaratë zyrtare për mediat, shefi i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, Albert Nushi, sqaroi se mesazhet e dërguara në emër të Policisë ku pretendohej se arsimtarët i priste ndjekja penale pasi ishin filmuar në protesta, janë krejtësisht të rreme dhe të orkestruara nga persona ende të paidentifikuar.

“Gjatë ditës së djeshme, disa mësuesve dhe pedagogëve u janë dërguar mesazhe në emër të Policisë së Shtetit, me përmbajtje intimiduese. Sqarojmë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia. Sigurojmë mësuesit dhe pedagogët se e drejta për t’u tubuar paqësisht është një e drejtë kushtetuese”, deklaroi Nushi.

Përfaqësuesi i policisë hodhi poshtë gjithashtu lajmet se efektivët po japin dorëheqje masive apo se drejtuesit kanë dhënë urdhra të paligjshëm për përdorim violencë gjatë tubimeve.

Në lidhje me pamjet e shpërndara nga aeroporti i Rinasit, Nushi sqaroi se avioni me të huaj të prandaluar nuk ka lidhje me burgjet e vendit, por me procedurat e transportit të emigrantëve të paligjshëm nga Italia drejt qendrës së pritjes në Gjader.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit