Transmetuar më 22-10-2026, 13:06

Një kompani, 25 automjete dhe një tokë në Tiranë janë vendosur nën sekuestro preventive nga SPAK. Hetimi lidhet me organizatën kriminale që dyshohet se trafikoi rreth 28 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës dhe investonte të ardhurat në prona e biznese

SPAK konfirmoi sot se ka vendosur nën sekuestro preventive pasuri me vlerë rreth 77 milionë lekë, në kuadër të hetimit ndaj organizatës kriminale të lidhur me grupin e njohur si “Çopjat” e Elbasanit, e cila po hetohet për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme të datës 14 tetor 2026 janë sekuestruar pasuri të regjistruara në emër të shtetasve A. Ç. dhe F. C.

Në emër të A. Ç. është sekuestruar një tokë arë me sipërfaqe 2 mijë metra katrorë në Sharrë, Tiranë, ndërsa në emër të F. C. është vendosur sekuestro mbi 100% të kuotave të shoqërisë “Check Company” sh.p.k., me seli në Rrugën e Dibrës në Tiranë.

Në pronësi të kompanisë rezultojnë gjithashtu 25 automjete, 24 prej tyre të markave dhe modeleve të ndryshme të listuara në vendimin e sekuestrimit dhe një automjet Toyota bZ3.

Sipas SPAK, pasuritë dyshohet se përbëjnë produkte të aktivitetit kriminal dhe janë identifikuar gjatë hetimit pasuror që po zhvillohet paralelisht me procedimin penal nr. 187/2023.

‘Check Company’ dhe makinat ndodhen në pronësi të Franci Canajt, i arrestuar në qershor 2025 për plagosjen e një taksisti

Hetimi përfshin veprat penale të trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale, grupit të strukturuar kriminal dhe kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale.

Hetimet për 28 ton kokainë drejt Europës

SPAK thotë se organizata kriminale kishte shtrirje ndërkombëtare dhe bashkëpunonte me grupe të tjera për transportimin e kokainës nga Amerika Latine drejt porteve europiane.

Hetimet, të zhvilluara edhe me ndihmën e Europol dhe autoriteteve të Belgjikës, Francës, Holandës, Gjermanisë dhe Italisë, janë mbështetur ndër të tjera në analizimin e komunikimeve të koduara në platformën SkyECC.

Në dy episode të hetuara, organizata dyshohet se ka organizuar trafikimin e rreth 28 tonëve kokainë.

Në rastin e parë, në vitin 2020, bëhej fjalë për një ngarkesë prej rreth 11.6 tonësh kokainë, e nisur nga Paraguai drejt Anversit në Belgjikë.

Në episodin e dytë, mes dhjetorit 2020 dhe shkurtit 2021, hetimet flasin për rreth 16.4 tonë kokainë të transportuar drejt Hamburgut në Gjermani. Kjo ngarkesë u sekuestrua nga autoritetet gjermane dhe vlerësohej në miliarda euro në tregun e paligjshëm.

Në total, sipas të dhënave të SPAK, rreth 17 tonë kokainë janë sekuestruar gjatë operacioneve të lidhura me këtë hetim.

Paratë dyshohet se transportoheshin “cash” drejt Shqipërisë

Një pjesë e rëndësishme e hetimeve është përqendruar edhe te mënyra se si dyshohet se qarkullonin të ardhurat nga trafiku i drogës.

Sipas SPAK, organizata përdorte ndër të tjera transport fizik të parave “cash” nga vendet e Bashkimit Europian drejt Shqipërisë, duke angazhuar shoferë të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve.

Hetuesit kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e sistemeve informale të transfertave, të njohura si “hawala” ose “token”, për lëvizjen e shumave të mëdha pa kaluar në sistemin bankar tradicional.

SPAK pretendon se organizata kishte aftësi të larta financiare dhe kontrollonte një pjesë të konsiderueshme të zinxhirit të trafikimit, nga sigurimi dhe përgatitja e kokainës në Amerikën Latine, deri te transporti dhe shpërndarja në tregjet europiane dhe më pas qarkullimi i fitimeve.

Për këtë procedim penal janë caktuar masa sigurie ndaj 16 personave.

Sekuestrimi i fundit prej 77 milionë lekësh i shtohet pasurive të tjera të vendosura më parë nën sekuestro, ku përfshihen vila, apartamente, toka, automjete, kuota në kompani dhe një kompleks turistik.

Çfarë tha sot SPAK

Sekuestrohen pasuri me vlerë 77 milionë lekë në kuadër të procedimit penal nr. 187/2023 për trafik narkotikësh dhe pastrim parash

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal nr. 187 të vitit 2023 ka zhvilluar paralelisht edhe hetimin pasuror. Ky hetim ka identifikuar pasuri që përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale në emër të subjekteve në hetim dhe familjarëve të tyre.

Me vendimin nr.667, datë 14.10.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë caktoi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të shtetasve A.Ç. dhe F.C., me vlerë totale 77.000.000 lekë.

Në emër të shtetasit A.Ç:

Pasuria nr. 349/47, zona kadastrale 3321, vol. 12, faqja 5, “Tokë Arë”, me sipërfaqe 2000 m2, e ndodhur në Sharrë, Tiranë, në pronësi edhe të shtetases A.Ç.

Në emër të shtetasit F.C:

Kuota 100% të shoqërisë tregtare ‘Check Company Sh.p.k, në rrugën e Dibrës, Tiranë.

Gjithsej janë 24 automjete Volkswagen (modeli Ioniq5 dhe ID3, ID4 ) dhe 1 Toyota (modeli bZ3) në pronësi të kësaj kompanie.

Veprat penale në hetim

Procedimi penal nr. 187/2023 përfshin veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal:

Trafik i lëndëve narkotike; Pastrim i produkteve të veprës penale; Grup i strukturuar kriminal; Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

Shtetasit nën hetim janë: E.Ç, A.Ç, A.Ç (alias D.Ç), F.B (alias J.B), D.D, P.L (alias P.S.), F. G (alias F.Ç, alias F.H.Ç, S.P (alias V.P), G.Ç, R.M, M.K, M. M, E. Ç, R.Ç, K.Gj dhe D.P.

Rrjedha e hetimit

Organizata kriminale me shtrirje të gjerë ndërkombëtare bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e lëndëve narkotike drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj. Hetimet përfshinë bashkëpunimin intensiv me EUROPOL dhe autoritete nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia, u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC. Nga këto hetime janë zbuluar dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anversin etj. Gjithashtu janë evidentuar rolet përkatëse të secilit prej pjesëtarëve të grupit kriminal si dhe është dokumentuar i gjithë zinxhiri i transferimit të shumave monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë caktuar masa të sigurimit personal ndaj 16 personave.

Historia ka nisur që më 8 gusht 2025

SPAK godet organizatën kriminale shqiptare që ndikonte në tregun e kokainës në Evropë — rreth 17 tonë kokainë të sekuestruar

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), ka kryer hetime kundër një organizate kriminale të nivelit të lartë, të përfshirë në trafikimin e kokainës dhe pastrimin e parave. Hetimet, të cilat përfshijnë bashkëpunimin intensiv me EUROPOL dhe autoritete nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia, u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC. Nga këto hetime janë zbuluar dërgesa shumë-tonëshe kokainë nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anvers etj.

Kjo organizatë kriminale operonte në një shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj.

Në kontekstin e kësaj organizate kriminale, Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.187/2023 për veprat penale te “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283/a, 287, 333/1 dhe 2 e 334/1 të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 16 (gjashtëmbëdhjetë) shtetasve shqiptarë, kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (Gjykata e Posaçme) me vendimin nr.82 akti datë 06.08.2025, duke vendosur masën “arrest në burg”, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale për 14 (katërmbëdhjetë) persona dhe për 2 (dy) të tjerëve ka caktuar masën e sigurimit detyrim për tu paraqitur ne policinë gjyqësore.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurimit për 9 të hetuar (përfshirë edhe një nga drejtuesit), prej të cilëve 7 me masën“arrest me burg” dhe 2 me masën “detyrim paraqitje”, ndërsa një prej të hetuarve gjendet aktualisht i arrestuar në një vend të BE – së (drejtues i organizatës). Po punohet për ekzekutimin e masave të sigurimit për 6 persona të tjerë.

Masa “arrest me burg” në Shqipëri:

E.Ç

A.Ç

P.L

R.M

G.Ç

M.K

El.Ç

Masa “detyrim paraqitje” në Shqipëri:

D.P K.Gj

I arrestuari në një vend të BE-së:

F.C

Për interesat e hetimit, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona të cilat janë në vijim e sipër.

Sekuestrimet e sasive të kokainës:

Gjatë hetimeve ndërkombëtare, janë identifikuar dhe goditur dy ngarkesa të mëdha kokaine, të transportuara nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe më konkretisht:

Shtator 2020 – Paraguaj → Belgjikë (Anvers)

Grupi i drejtuar nga E.Ç. dhe F. G., në bashkëpunim me një shtetas brazilian, organizoi trafikimin e 11.6 ton kokainë, fshehur në kuti sapuni dhe kuti boje metalike me logon “Fox”. Ngarkesa u nis nga porti i Villeta (Paraguaj) dhe mbërriti në Anvers më 04.11.2020. Në vijim, gjatë operacioneve të policisë në Roterdam, u sekuestruan 600 kg kokainë dhe 2 milionë euro, si dhe u arrestuan shtetasit shqiptarë M.D. dhe N.B.

Dhjetor 2020 – Shkurt 2021 – Paraguaj → Gjermani (Hamburg)

E.Ç. dhe F.G. organizuan dhe financuan trafikimin e 16.4 ton kokainë, fshehur në bombola metalike me bojë/kollë ndërtimi dhe të stampuara me logo (“sy me rrufe të kuqe”, “Puma”, “shenja infinit”), me vlerë tregu prej 1.5 miliard deri 3.5 miliard euro. Ngarkesa, e shpërndarë në disa kontejnerë, mbërriti në Hamburg më 12.02.2021 dhe u sekuestrua nga autoritetet doganore gjermane. (Cocaine ‘worth billions’ seized in record Germany and Belgium haul).

Tipologjia e organizatës kriminale

Hetimet e kryera në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese partnere dhe analiza e komunikimeve të përgjuara në aplikacionin SkyECC kanë zbuluar një strukturë kriminale të përmasave ndërkombëtare, e udhëhequr nga shtetasit E.Ç. dhe F.G., e cila kontrollonte në mënyrë të plotë zinxhirin e trafikut të kokainës – nga prodhimi, magazinimi dhe përpunimi në laboratorët e Paraguait, transporti ndërkombëtar dhe shpërndarja në tregjet europiane, deri te pastrimi dhe qarkullimi i të ardhurave të fituara.

Ngarkesat e mëdha të kokainës siguroheshin direkt nga prodhuesit nga drejtuesi i organizatës E. Ç. (i cili së bashku me vëllanë e tij A. Ç. ishin vendosur në Paraguai), magazinoheshin dhe bëheshin gati për transport në Paraguai. Lënda narkotike fshihej në mënyrë të sofistikuar në ngarkesa legale – kuti sapuni, bombola boje dhe kollose ndërtimi – të maskuara me marka tregtare si “Fox” apo me shenja të veçanta dalluese si “Puma” ose “sy me rrufe”. Këto ngarkesa transportoheshin me kontejnerë detarë nga portet e Amerikës së Jugut drejt porteve të mëdha evropiane, kryesisht Anvers (Belgjikë) dhe Hamburgu (Gjermani), ku më pas shpërndaheshin përmes rrjeteve të brendshme të tregut të drogës në BE.

Qarkullimi dhe menaxhimi i parave

Hetimi ka treguar se ky grup kishte ngritur një mekanizëm financiar jashtëzakonisht të sofistikuar për të qarkulluar dhe fshehur të ardhurat nga aktiviteti kriminal. Një prej metodave kryesore ka qenë transporti fizik i parave “cash” nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë, duke përdorur shoferë autobusësh kryesisht shqiptar të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve. Kjo mënyrë kishte disa përparësi për grupin:

Evitimi i gjurmimit bankar dhe i detyrimit ligjor për deklarimin e burimit të fondeve;

Shmangia e kontrolleve doganore zyrtare, duke përdorur rrugë të shkurtra dhe pikat kufitare më pak të monitoruara;

Siguria përmes rrjetit të besuar të shoferëve, numri i të cilëve ishte i kufizuar dhe i përzgjedhur në bazë të një marrëdhënieje të ndërtuar mbi besimin reciprok.

Shoferët, në këmbim të shërbimit dhe rrezikut të marrë përsipër, përfitonin rreth 2% tarifë mbi shumën e transportuar. Këto pagesa bëheshin drejtpërdrejt nga anëtarët e grupit dhe garantoheshin nga personat përgjegjës për menaxhimin e logjistikës financiare.

Koordinimi i pagesave

Figura kyçe si F.G., E.Ç., si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, luanin rol aktiv në organizimin e këtyre transfertave. Pagesat dhe kompensimet e brendshme shpesh maskoheshin përmes transaksioneve të tjera të fshehta, të dizajnuara për të mos lënë gjurmë në sistemin financiar zyrtar.

Përveç transportit fizik, rrjeti përdorte edhe sistemin informal të transfertave të njohur si “haëala” ose “token”, ku shumat e mëdha qarkullonin përmes një zinxhiri ndërmjetësish pa asnjë evidencë bankare. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve kanalizohej drejt Bolivisë, e cila, për shkak të nivelit të ulët të kontrollit financiar dhe pozicionit të saj strategjik, shërbente si nyje kyçe për përfundimin e transaksioneve ndërkombëtare të parave.

Kombinimi i këtyre metodave, transporti fizik me shoferë të besuar dhe sistemi i transfertave informale, i mundësonte kësaj organizate kriminale qarkullimin e qindra milionë Euro cash, duke reduktuar ndjeshëm riskun e sekuestrimit dhe duke siguruar vazhdimësinë e aktivitetit të tij në shkallë ndërkombëtare.

Prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Vladimir Mara, theksojnë se: “Kjo organizatë kriminale mund të konsiderohet si një nga organizatat shqiptare më të fuqishme në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Ajo kishte kapacitetin për të ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregjet evropiane dhe për të menaxhuar sasi të mëdha të lëndës narkotike në periudha të shkurtra kohore. Fuqia financiare e lartë e kësaj organizate, strukturimi dhe organizimi i një niveli shumë të lartë si dhe aftësia për të rikuperuar humbjet që vinin nga sekuestrimet e dallojnë atë nga grupet e tjera kriminale të hetuara nga SPAK .”

Pronat e sekuestruara

Me vendimin nr. 543 date 07.08.2025, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin preventiv për gjithsej 14 pasuri të llojeve të ndryshme me vlera disa miliona eurosh, duke përfshirë resorte, vila, apartamente, trualle, automjete dhe kuota në shoqëri, në emër të personave nën hetim si më poshtë:

Resorte turistike:

“A….. PARK” Resort ku përfshihen hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente tregtare, Xhafzotaj, Durrës. Vila dhe apartamente:

Vilë dy katëshe tip “ELYSIAN”, në bregdetin e Dhërmiut, bashkia Himarë (sipërfaqe totale rreth 378.2 m²), me vlerë tregu prej afërsisht 1.000.000 Euro.

Vilë e porositur datë 06.11.2024, në Tiranë.

Truall, toka dhe ndërtesa:

Pasuri truall dhe ndërtesa në Tiranë, Sharrë.

Pasuri (me status regjistrim të përkohshëm).

Pasuri nr. 349/45 në bashkëpronësi.

Tokë arë me sipërfaqe 5900 m², Sharrë, Tiranë.

Kuota dhe aksione në shoqëri tregtare:

Kuotat/aksionet në shoqëri tregtare, Kavajë.

Shoqëri tregtare, Durrës.

Shoqëri tregtare, Rrogozhinë.

Shoqëri tregtare, Durrës.

Automjete:

Tre automjete.

Sekuestrime gjatë ekzekutimit të vendimeve të kontrollit:

Mbi 111 800 Euro Cash;

4000 USD

880.000 Lekë

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Në këtë hetim të rëndësishëm, SPAK ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të shkëlqyer me EUROPOL, Eurojust, agjencitë ligjzbatuese të vendeve të BE-së. Nga partnerët ndërkombëtarë u angazhuan Policia Federale Gjyqësore e Belgjikës, Policia Kombëtare dhe SIRASCO nga Franca, Zyra Federale e Policisë Kriminale dhe Zyra Shtetërore e Policisë Kriminale Karlsruhe nga Gjermania, Policia e Holandës, si dhe Policia e Shtetit dhe Shërbimi për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (SCIP) të shtetit italian. Ky bashkëpunim i ngushtë ndërmjet këtyre institucioneve ishte thelbësor për suksesin e operacionit dhe goditjen e kësaj organizate kriminale me ndikim ndërkombëtar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit