Transmetuar më 22-10-2026, 07:46

RAJON, 22 Tetor 2026 — Rezervat ndërkombëtare të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6) kanë arritur në shifrën rekord prej rreth 61.7 miliardë dollarësh në vitin 2025, sipas të dhënave më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Dominimin kryesor në rajon e mban Serbia me 34.15 miliardë dollarë rezerva (rritje vjetore prej 12%), duke zotëruar mbi 55.4% të totalit të WB6 — më shumë se pesë vendet e tjera të marra së bashku. Pas saj renditet Bosnjë-Hercegovina me 9.42 miliardë dollarë (15.3%).

Shqipëria renditet e treta në rajon me një stok prej 8.60 miliardë dollarësh në 2025 (nga 6.52 miliardë në 2024), por ka regjistruar ecurinë më mbresëlënëse: një rritje vjetore prej 32% (rreth +2.09 miliardë dollarë), që përbën rritjen më të lartë në përqindje ndër të gjitha vendet e rajonit. Në vendet e tjera, Maqedonia e Veriut numëron 5.80 miliardë dollarë (+10.5%), Mali i Zi 2.20 miliardë dollarë (+26.1%), ndërsa Kosova mbyll renditjen me 1.52 miliardë dollarë (+15.7%).

Shqipëria e para në rajon për sigurinë financiare të importeve

Përveç rritjes me ritme rekord, Shqipëria mban edhe nivelin më të lartë të mbrojtjes financiare ndaj goditjeve të jashtme. Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë janë të mjaftueshme për të financuar 7.5 muaj importe mallrash dhe shërbimesh.

Lidhur me mbulimin e importeve dhe nivelin e rezervave, vendet e rajonit renditen si më poshtë:

Shqipëria mban nivelin më të lartë të sigurisë financiare në rajon me 8.60 miliardë dollarë rezerva, të cilat mbulojnë 7.5 muaj importe.

Serbia renditet e dyta me 34.15 miliardë dollarë rezerva, të mjaftueshme për të mbuluar 6.7 muaj importe.

Bosnjë-Hercegovina vijon listën me 9.42 miliardë dollarë rezerva (të dhëna të vitit 2024), duke mbuluar 6.5 muaj importe.

Maqedonia e Veriut disponon 5.80 miliardë dollarë rezerva, të cilat mbulojnë 4.4 muaj importe.

Mali i Zi regjistron 2.20 miliardë dollarë rezerva, të cilat garantojnë 3.5 muaj importe.

Kosova mbyll renditjen me 1.52 miliardë dollarë rezerva, që korrespondojnë me 2.0 muaj importe.

Niveli i lartë i rezervave ka një rëndësi të veçantë për ekonominë shqiptare, pasi garanton përmbushjen e detyrimeve të jashtme, ruan stabilitetin e kursit të këmbimit dhe rrit besimin e investitorëve të huaj, veçanërisht në një ekonomi me përdorim të gjerë të monedhës euro.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit