

KARDHIQ-DELVINË, 22 Tetor 2026 — Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Kardhiq–Delvinë, në vendin e quajtur “Skërficë”, ku një automjet ka marrë flakë gjatë ecjes, duke mbetur tërësisht i shkrumbuar.
Automjeti i llojit “Volkswagen Touran” drejtohej nga 37-vjeçari Maridon Dhuli, lindur dhe banues në fshatin Fterrë të Bashkisë Himarë. Gjatë lëvizjes, mjeti ka shpërthyer në flakë, duke i shkaktuar drejtuesit djegie të shkallës së tretë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kalimtarëve të rastit. Një qytetar nga Saranda, Sokol Ahmetaj, i cili po udhëtonte nga Tirana, ka arritur të shuajë flakët në trupin e 37-vjeçarit duke përdorur xhupin e tij, si dhe ka njoftuar menjëherë spitalin dhe shërbimet e Policisë Rrugore.
Pas ndihmës së parë në urgjencën e Sarandës, i dëmtuari u transportua urgjentisht me autoambulancë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor. U deshi ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës për shuarjen e plotë të zjarrit në mjet, ndërsa Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij incidenti.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






