

TIRANË- Protestat qytetare antiqeveritare prej më shumë se katër muajsh, aktualisht kanë kulmuar me përplasje të forta mes protestuesve studentë dhe gjimnazistë dhe policisë, duke sjellë në qendër të diskursit politik kërkesën për largimin e Kryeministrit Edi Rama, ngritjen e një qeverie teknike dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
Por si funksionojnë mekanizmat juridikë? A e shpërndan dorëheqja e Kryeministrit automatikisht Kuvendin? Si formohet një qeveri e konsideruar “teknike”? Përse afati kushtetues 45-ditor për zgjedhjet e parakohshme krijon një përplasje të drejtpërdrejtë me ligjin për regjistrimin e partive të reja?
Për të zbërthyer kornizën ligjore, Faktoje.al sjell opinionin kushtetues të disa konstitucionalistëve me të cilët bisedoi, si dhe analizat e detajuara të juristëve Dorian Matlija, Bledar Dervishaj, Ledio Braho, si dhe pedagogut të shkencave politike në UET, Ervis Iljazaj.
Sipas Nenit 1 të Kushtetutës, Shqipëria është republikë parlamentare ku qeveria e ushtron pushtetin mbi bazën e mbështetjes parlamentare. Kushtetuta parashikon mekzanizma për formimin e qeverisë së re pa shpërndarjen e Kuvendit, (referencë nenet 96, 104-105 të Kushtetutës. Juristët shpjegojnë dy rrugët kryesore për zëvendësimin e Kryeministrit pa shkuar në zgjedhje:
Rruga e dorëheqjes së Kryeministrit (Neni 96 i Kushtetutës)
Sipas konstitucionalistëve, nëse Kryeministri jep dorëheqjen, me krijimin e vakancës aktivizohet menjëherë procedura e Nenit 96. Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin e ri me propozim të partisë ose koalicionit që ka shumicën e vendeve në Kuvend (në këtë rast Partia Socialiste).
Nëse kandidati i emëruar nuk miratohet, Presidenti emëron një kandidat të dytë brenda 10 ditëve. Nëse edhe ai dështon, Kuvendi ka 10 ditë kohë për të zgjedhur vetë një Kryeministër të ri. Vetëm nëse Kuvendi dështon në të tria përpjekjet, Presidenti dekreton shpërndarjen e parlamentit brenda 24 orëve dhe zgjedhjet e parakohshme mbahen 30-45 ditë nga shpërndarja.
Juristi Dorian Matlija sqaron se ky rregull rrëzon një keqkuptim të madh publik. “Nëse kryeministri jep dorëheqjen, hapet procedura për formimin e qeverisë së re, por vetëm largimi i tij nuk sjell automatikisht shpërndarjen e parlamentit. Pra nëse kandidati i ri nga e njëjta shumicë arrin të marrë 71 vota në Kuvend, qeveria merr detyrën dhe vazhdon punën deri në përfundim të mandatit”, thotë Z. Matlija.
Lidhur me të drejtën e propozimit, juristi Ledio Braho plotëson se opozita nuk e imponon dot emrin pa votat e shumicës. “E drejta e propozimit i takon partisë që ka shumicën parlamentare. Opozita nuk i ka numrat për të zgjedhur kryeministrin”, sqaron ai.
Ndërsa politologu Ervis Iljazaj nënvizon se nga pikëpamja proceduriale dhe kushtetuese, shumica parlamentare ka të gjitha mundësitë e rrotacionit brenda vetes: “Mekanizmat tekniko-kushtetues për ndryshimin e qeverisë varen nga vullneti politik i vetë Kryeministrit për të dhënë dorëheqjen”.
Mocioni Konstruktiv i Mosbesimit (Neni 105 i Kushtetutës)
Njohësit e doktrinës kushtetuese argumentojnë për Faktoje.al se rruga e dytë për ndryshimin e qeverisë pa zgjedhje është mocioni konstruktiv i mosbesimit. Të paktën 1/5 e deputetëve (28 deputetë) mund të paraqesin mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, por me një kusht të detyrueshëm: të propozojnë njëkohësisht emrin e Kryeministrit të ri.
Nëse kandidati i ri merr votat e më shumë se gjysmës së deputetëve (71 vota), Presidenti dekreton shkarkimin e të vjetrit dhe emërimin e të riut brenda 10 ditëve.
Ky mekanizëm i ndryshuar në vitin 2008, sipas konstitucionalistëve, është veçanërisht i rëndësishëm sepse lejon krijimin e një shumice të re parlamentare dhe zëvendësimin e Kryeministrit edhe pa dorëheqjen e tij.
Nëse mocioni nuk miratohet, Kryeministri vazhdon detyrën. Pra, as miratimi dhe as mosmiratimi i mocionit konstruktiv të mosbesimit nuk sjellin vetvetiu zgjedhje të parakohshme. Ndryshimi i Kryeministrit nuk kërkon domosdoshmërisht zgjedhje, por kërkon një shumicë parlamentare që mbështet qeverinë e re.
Si shkohet në Zgjedhje të Parakohshme? Mocioni i Besimit dhe afatet kushtetuese
Ndryshe nga mocioni i mosbesimit, Mocionin e Besimit (Neni 104 i Kushtetutës) mund ta paraqesë vetëm vetë Kryeministri. Ndryshe nga mocioni konstruktiv i mosbesimit, mocioni i besimit mund të çojë drejtpërdrejt në shpërndarjen e Kuvendit. Sipas nenit 104 të Kushtetutës, atë mund ta paraqesë vetëm Kryeministri.
Nëse mocioni votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, sipas formulimit të këtij neni, Kryeministri i kërkon Presidentit shpërndarjen e Kuvendit brenda 48 orëve nga votimi. Në këtë rast nuk përsëriten përpjekjet për formimin e një qeverie tjetër sipas nenit 96. Nëse Kryeministri siguron besimin, qeveria vazhdon detyrën.
Kryeministri nuk mund të paraqesë mocion besimi gjatë shqyrtimit të një mocioni mosbesimi. Kjo pengon përdorimin e kësaj procedure për të shmangur një mocion që synon zgjedhjen e pasardhësit të tij.
Kur Kuvendi shpërndahet, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcaktojnë se zgjedhjet e parakohshme thirren jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes se Kuvendit, si kur shpërndarja vjen nga procedura e mocionit të besimit, ashtu edhe kur dështon zgjedhja e Kryeministrit në përpjekjen e tretë sipas nenit 96. Lidhur me këtë rrugë, juristi Bledar Dervishaj sqaron dinamikën se si mund të shfrytëzohet ky mekanizëm nga vetë kryeministri. “Kryeministri (si kryetar partie) mund të kërkojë mocion besimi në Kuvend dhe t’u kërkojë deputetëve ta votojnë kundër. Pas rrëzimit, ai i kërkon Presidentit shpërndarjen e Kuvendit”, sqaron Z. Dervishaj
Sa i përket rolit të kreut të shtetit, juristi Ledio Braho nënvizon se kompetencat e tij janë mjaft të kufizuara. “Presidenti nuk ka asnjë tagër kushtetues për të shpërndarë Kuvendin me iniciativën e tij apo për të zgjidhur krizën jashtë rrugëve kushtetuese”, thotë ai.
Përplasja e afateve: Pse zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditëve “djegin” partitë e reja?
Një nga pikat më kritike të kornizës ligjore është mospërputhja e thellë normative mes afatit kushtetues të zgjedhjeve të parakohshme dhe legjislacionit që rregullon veçanërisht, regjistrimin e subjekteve të reja politike. (Ndryshimet e vitit 2025 në Kodin zgjedhor neni 64/1 përcaktojnë se çdo parti kërkon regjistrimin si subjekt zgjedhor jo më vonë se 75 ditë para datës se zgjedhjeve ndërsa për koalicionet 70 ditë, neni 65.)
Njohësit e Kushtetutës me të cilët bisedoi Faktoje.al thonë se procedura e krijimit dhe e certifikimit të një partie të re kërkon disa faza ligjore që marrin kohë.
Sipas ligjit “Për partitë politike”, kërkohet nënshkrimi i kërkesës nga jo më pak se 3,000 anëtarëve themelues, miratimi i statutit, programit dhe organit drejtues.
Pas dorëzimit të dokumentacionit, Gjykata e Tiranës ka deri në 30 ditë kohë për të bërë regjistrimin. Nëse ka mangësi, gjykata e kthen kërkesën brenda 20 ditëve për plotësim, ndërsa vendimi mund të ankimohet brenda 15 ditëve.
Juristët argumentojnë se ky afat prej 30 ditësh nuk përfshin kohën reale që i nevojitet një lëvizjeje për t’u organizuar në terren dhe për të mbledhur 3,000 nënshkrimet. Por edhe procedura e regjistrimit të saj në KQZ shfaqet me pengesa në kohë.
Këtu shfaqet mospërputhja e qartë ligjore, ku juristi Bledar Dervishaj argumenton:
“Kushtetuta përcakton se nga momenti i shpërndarjes së Kuvendit, zgjedhjet duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve. Ky afat është një pamundësi teknike dhe ligjore për forcat e reja politike që të përgatiten apo të regjistrohen për të garuar. Procedura ligjore për krijimin e një partie mund të kërkojë në rastin më të mirë nga 30 – 60 ditë”.
Gjithashtu, juristi Ledio Braho vë gishtin te korniza e vjetruar e regjistrimit dhe te pasojat e afateve të shkurtra.
“Sot regjistrimi i partive rregullohet me ligjin e vitit 2000 dhe zvarritet me vite në gjykatat civile. Do të duhej një reformim që partitë e reja të trajtohen si sektor i veçantë në KQZ dhe ankesat të shqyrtohen në Kolegjin Zgjedhor brenda 1 muaji”, shpjegon ai.
Në të njëjtën linjë, politologu Ervis Iljazaj argumenton se shkuarja e menjëhershme te kutitë e votimit i shërben vetëm “kastës së vjetër politike” dhe se në rastin e zgjedhjeve të parakohshme nevojitet një zgjidhje specifike ligjore dhe interpretim institucional.
Edhe juristi Dorian Matlija nënvizon se kjo bllokadë kohore e bën të pamundur garën demokratike pa një fashë tranzitore. “Nëse vendoset një periudhë tranzitore prej 1 viti ose më shumë, atëherë krijohet koha e nevojshme për formimin, regjistrimin dhe garimin e forcave të reja politike”, argumenton ai.
Konstitucionalistët thonë se kjo mospërputhje kohore kërkon detyrimisht zgjidhje të qartë ligjore dhe dakordësi politike përpara shpërndarjes së Kuvendit.
Qeveria Teknike: Natyra juridike, marrëveshja politike dhe kompetencat
Në debatin publik po artikulohet gjithnjë e më shumë kërkesa për ngritjen e një “Qeverie Teknike”. Mirëpo, në opinionin kushtetues të konstitucionalistëve me të cilët bisedoi Faktoje.al, Kushtetuta e Shqipërisë nuk përmban asnjë koncept juridik me këtë emërtim dhe se “qeveria teknike” është vetëm një koncept politik që nënkupton një kabinet të përkohshëm, me përbërje ekspertësh, figurash të konsideruara të paanshme ose përfaqësuesish të emëruar sipas një marrëveshjeje politike. Nga pikëpamja e së drejtës kushtetuese, një kabinet i tillë mund të formohet vetëm përmes procedurave strikte parlamentare si më poshtë:
● Përmes dorëheqjes së Kryeministrit dhe propozimit të një emri konsensual nga shumica(Nenet 96 dhe 97 të Kushtetutës).
● Përmes mocionit konstruktiv të mosbesimit, ku Kuvendi zgjedh një Kryeministër të ri me të paktën 71 vota (Neni 105).
● Përmes zëvendësimit të ministrave me figura teknike ose të propozuara nga opozita e shoqëria civile, pa ndryshuar vetë Kryeministrin (Neni 98).
Sa i përket misionit që merr përsipër, nëse formohet për përgatitjen e zgjedhjeve, detyrat e saj përfshijnë: garantimin e funksionimit të shërbimeve publike, sigurinë e neutralitetit të administratës dhe mospërdorimin e burimeve shtetërore, garantimin e kushteve për konkurrim të barabartë, si dhe bashkëpunimin me KQZ-në e përgatitjen e reformës zgjedhore.
Sipas juristëve kohëzgjatja e saj nuk përcaktohet nga ligji, por përcaktohet në marrëveshjen politike mes palëve.
Juristi Ledio Braho shpjegon edhe mënyrën se si mbyllet misioni i një qeverie teknike sipas marrëveshjes: “Kohëzgjatja (p.sh. 1 vit) përcaktohet me marrëveshje politike. Në përfundim të afatit, kryeministri teknik paraqet formalisht mocion besimi në Kuvend, i cili rrëzohet me marrëveshje, duke çuar automatikisht në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme”, sqaron Z. Braho.
Juristi Dorian Matlija nënvizon se nga pikëpamja praktike e proceduriale, i gjithë ky proces i rrëzimit të qeverisë, krijimit të qeverisë teknike, miratimit të Kodit të ri dhe shkuarjes në zgjedhje kërkon më shumë se një vit kohë.
Juristi Bledar Dervishaj sjell në vëmendje përvojën historike për të treguar misionin e qeverisë teknike. “Sjell në vëmendje përvojën e Qeverisë “Fino” të Pajtimit Kombëtar (mars–qershor 1997) për të treguar se si në kohë krizash krijohen kabinete për rikthimin e besimit te qeverisja”, thotë ai
Reforma e Kodit Zgjedhor, afatet ligjore dhe sfidat e partive të reja Përtej afateve të reformës, ekspertët e pyetur theksojnë se vetë sistemi aktual elektoral (Sistemi Proporcional Rajonal me qarqe) përbën një pengesë strukturore për forcat e reja dhe të vogla politike.
Juristi Dorian Matlija analizon deformimin e shpërndarjes së mandateve dhe pragun e lartë natyral: “Sistemi Proporcional Rajonal krijon në varësi të madhësisë së qarkut, formulës së mandateve dhe shpërndarjes së votave, një prag natyral elektoral shumë të lartë në qarqet e vogla, i cili shkon nga 15% deri në 25–30% (si për shembull në Kukës). Kjo dëmton rëndë partitë e vogla apo lëvizjet e reja që kanë mbështetje të shtrirë në të gjithë vendin, por nuk arrijnë dot pragun e lartë rajonin sipas qarqeve. Kodi aktual promovon besnikërinë ndaj kryetarit të partisë në vend të figurave të pavarura”, sqaron Z. Matlija.
Për të zgjidhur këtë pabarazi, juristi Matlija propozon kalimin në Sistemin Kombëtar Proporcional ose rikthimin te Sistemi Mazhoritar me Korrektim Proporcional (i përdorur para vitit 2008), i cili siguron sipas tij, përfaqësim më të drejtë të votës kombëtare dhe promovon individë me respekt publik në komunitet. Por kjo sqaron ai kërkon ndërhyrje në Kushtetutë.
Në këtë linjë, juristi Ledio Braho plotëson se reforma duhet të adresojë edhe koalicionet: “Kërkesat e partive të reja e të vogla përfshijnë kalimin me më pak zona zgjedhore (ose zonë kombëtare), lejimin e koalicioneve parazgjedhore për të mos djegur asnjë votë opozitare, si dhe rregullimin e listave të hapura”.
Nga ana tjetër, juristi Bledar Dervishaj vëren se deformimet e bëra me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë përqendruar pushtet të tepërt te Kryeministri, duke hequr balancat ligjore. Për këtë arsye, ai thekson nevojën e një reforme më të thellë zgjedhore. Një periudhë tranzitore prej 6 muajsh deri në 1 vit është e domosdoshme, argumenton ai, jo vetëm për të miratuar ndryshimet në Kod, dhe në Kushtetutë nëse do preket sistemi zgjedhor, por edhe për t’u dhënë hapësirën e nevojshme kohore partive të reja që të organizohen, të regjistrohen dhe të garojnë me kushte të barabarta përfaqësimi.
Protestat vs. Rregullave të lojës
Nga verifikimi i normave kushtetuese, rregullave të Kodit Zgjedhor dhe analizave të ekspertëve të së drejtës, Faktoje.al konkludon se kërkesat e artikuluara gjatë protestave për largimin e Kryeministrit, ngritjen e një qeverie teknike apo zgjedhjeve të parakohshme përplasen me procedurat rigoroze ligjore dhe afatet e mbyllura të sistemit aktual.
Kushtetuta e Shqipërisë përmban të gjithë mekanizmat e nevojshëm për zgjidhjen e çdo situate qeverisëse, por zgjedhja mes tyre mbetet përgjegjësi ekskluzive e vullnetit politik në Kuvend.
Në këto rrethana ligjore, konstitucionalistët dhe juristët arrijnë në disa konkludime të përbashkëta si:
● Dorëheqja e Kryeministrit nuk sjell automatikisht zgjedhje të parakohshme.
● Zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditëve janë një kurth ligjor për lëvizjet e reja dhe do të “digjnin” automatikisht çdo parti të re.
● Qeveria Teknike nuk është koncept kushtetues, por produkt i marrëveshjes politike. Që ajo të ketë efektivitet nevojitet një periudhë tranzitore prej 6 muajsh deri në 1.5 vite e dakordësuar brenda institucioneve të Republikës.
● Nevoja për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për t’u dhënë shanse të barabarta në garë tëgjitha partive.
● Sipas standardeve të Komisionit të Venecias, rregullat e lojës nuk mund të ndryshohen pa një konsensus të gjerë dhe as në më pak se 1 vit para datës së zgjedhjeve.
E thënë thjesht: Kushtetuta i hap të gjitha rrugët, por asnjëra prej tyre nuk ndodh vetvetiu nga rruga. Pa një dritë të gjelbër politike në Parlament, vullnet politik nga të gjitha palët, por kryesisht nga partia në pushtet, shanset e një pikë takimi mes kërkesave të protestuesve dhe qeverisë janë tejet të ulëta./Faktoje.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






