

MALI I ZI, 21 Tetor 2026 — Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim dypalësh me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti bëri me dije se gjatë takimit ka kërkuar mbështetje proaktive nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ai nënvizoi se përparimi demokratik dhe linjëzimi i Kosovës me politikat e BE-së duhet të reflektohen me hapa konkretë.
Gjatë bisedës, kreu i qeverisë së Kosovës përmendi edhe miratimin e ligjit të fundit për integrimin në SEPA, i cili pritet t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, si dhe nisjen e shpejtë të negociatave për zonën pa tarifa shtesë “Roam like at Home”.
Gjithashtu, Kurti theksoi se Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet e Procesit të Berlinit, përfshirë njohjen e diplomave, duke kërkuar që ato të zbatohen nga të gjitha palët, përfshirë Serbinë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






