

Një peshkaqen femër, rreth tre metra i gjatë, është shpëtuar pas më shumë se një muaji i bllokuar në një kanal në qytetin Busan të Koresë së Jugut. Operacioni i shpëtimit u realizua nga autoritetet lokale, të cilat pas dy përpjekjeve të dështuara arritën ta drejtonin kafshën drejt detit të hapur.
Peshkaqeni, i pagëzuar me emrin “Bukangi”, sipas emërtimit korean të portit verior të qytetit, ishte vënë re për herë të parë në mes të shtatorit. Që prej asaj kohe, ai qëndronte në ujërat e kanalit të ngushtë, duke notuar ngadalë dhe shpesh në rrathë.
Shqetësim për gjendjen e peshkaqenit
Qëndrimi i gjatë në kanal ngriti shqetësime te ekspertët, të cilët paralajmëruan për rreziqet që mund t’i kanoseshin peshkaqenit. Sipas raportimeve, nuk kishte shenja të qarta se ai ishte ushqyer gjatë periudhës së izolimit, ndërsa rënia graduale e temperaturës së ujit shtonte shqetësimet për shëndetin e tij.
Autoritetet tentuan ta nxirrnin në det të hapur më 29 shtator dhe më 2 tetor, por të dyja përpjekjet përfunduan pa sukses. Gjatë operacioneve u përdorën varka dhe rrjeta, por peshkaqeni arriti t’u shmangej ekipeve të shpëtimit.
Platforma lundruese bëri të mundur shpëtimin
Në përpjekjen e tretë, të zhvilluar të mërkurën, ekipet ndryshuan strategji, duke përdorur një platformë të madhe lundruese për ta orientuar gradualisht peshkaqenin drejt daljes së kanalit.
Punonjësit përdorën rrema për të drejtuar lëvizjen e tij dhe për të penguar kthimin pas. Ndërkohë, dhjetëra persona të tjerë, të pozicionuar në të dyja anët e kanalit, tërhoqën litarët për të zhvendosur platformën.
Ekipet e shpëtimit arritën ta lëviznin strukturën rreth një kilometër, ndërsa vendosën edhe rrjeta shtesë për të parandaluar kthimin e peshkaqenit në pjesën e brendshme të kanalit.
Operacioni u ndoq nga qindra qytetarë, të cilët u mblodhën përgjatë brigjeve për të parë nga afër përpjekjet e shpëtimit.
“Bukangi” rikthehet në det të hapur
Pasi arriti në dalje të kanalit, peshkaqeni qëndroi për pak kohë në zonë, përpara se të largohej drejt detit të hapur.
Përfundimi i suksesshëm i operacionit u njoftua nga kryetari i bashkisë së Busanit, Chun Je-soo, i cili falënderoi qytetarët për interesimin dhe vëmendjen e treguar gjatë gjithë periudhës që kafsha qëndroi e bllokuar.
Pamjet e operacionit të pazakontë u shpërndanë gjerësisht në internet, duke e kthyer shpëtimin e “Bukangit” në një ngjarje që tërhoqi vëmendjen e publikut.
#IGR: South Korean authorities have launched a third attempt to guide Bukangi, an endangered female dusky shark, back into the open sea after it spent more than a month trapped in a canal in Busan.
The 3-metre-long shark has reportedly suffered minor injuries after brushing… pic.twitter.com/aXrIhiaB0b
— India Global Review (@IGR_Media) October 21, 2026
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






