

Kryeministri Edi Rama ka pritur në ambientet e Kryeministrisë një 27-vjeçar me aftësi të kufizuara, i cili i kishte shkruar në rrjetet sociale për t’i shprehur dëshirën për ta takuar personalisht.
Kreu i qeverisë ka publikuar në Facebook një video nga takimi, së bashku me mesazhin që i riu i kishte dërguar, ku shprehte dëshirën për të takuar nga afër kryeministrin e vendit të tij.
“Nuk kërkoj asgjë më shumë”
Në mesazhin drejtuar Ramës, 27-vjeçari tregon se përdor karrocë me rrota dhe se takimi me kryeministrin do të ishte një moment i veçantë për të.
Ai thekson se nuk kishte ndonjë kërkesë apo interes të veçantë, por dëshironte vetëm ta përshëndeste personalisht dhe, nëse do të ishte e mundur, të realizonte një fotografi së bashku me të si kujtim.
“Përshëndetje, zoti Kryeministër Edi Rama! Jam një djalë 27-vjeçar nga Shqipëria, person me aftësi të kufizuara, dhe përdor karrocë me rrota. Kam një dëshirë shumë të madhe nga zemra, që një ditë të kem mundësinë t’ju takoj personalisht”, shkruan ai në mesazhin e tij.
Më tej, i riu shprehet se edhe një takim i shkurtër do të kishte shumë kuptim për të dhe do të mbetej një kujtim i paharrueshëm.
Reagimi i Ramës pas takimit
Kryeministri e ka shoqëruar videon me një mesazh të shkurtër, përmes të cilit e ka cilësuar 27-vjeçarin si një vizitor të veçantë në ambientet e Kryeministrisë.
“Një vizitor i veçantë pa gurë në xhep, po me zemrën në vendin e duhur”, shkruan Rama.
Takimi është bërë publik përmes rrjeteve sociale të kryeministrit, i cili ka ndarë me ndjekësit e tij momentet nga vizita e të riut.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






