

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një sërë masash drastike ndëshkuese ndaj personave që përfshihen në akte dhune dhe dëmtim të pronës gjatë protestave në kryeqytet, duke zgjeruar penalitetet edhe ndaj familjeve të të miturve të përfshirë.
Gjatë takimit me përfaqësuesit e sektorit bankar, kreu i ekzekutivit bëri me dije se qeveria ka nisur punën për krijimin e një regjistri të veçantë për personat e dhunshëm, të cilëve do t’u kufizohet aksesi në shërbime publike, aeroporte, trena, hotele dhe mjete të tjera transporti.
Rama theksoi se po bashkëpunohet me partnerët ndërkombëtarë për të ndaluar hyrjen e këtyre individëve në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa u bëri thirrje prindërve të kujdesen për fëmijët e tyre:
“Çdo kush që ka një fëmijë të mitur duhet të kujdeset. Do vi fatura në familje, nuk do marrë asnjë shërbim nga shteti familja e të një mitur që djeg pronën e tjetrit. Do vendosim në regjistra të veçantë njerëzit e dhunshëm. Do i mbyllim shumë aksese. Do bashkëpunojmë dhe e kemi nisur punën me vendet e BE për t’u ndaluar aksesin në ato vende si njerëz të dhunshëm. Dhuna nuk ka vend dhe nuk ka për të patur vend në këtë vend. Dialogu, shkëmbimi ideve, ballafaqimi demokratik i argumenteve, ulja në tryezë për të gjetur rrugë të reja.”
Po ashtu, kryeministri kritikoi pedagogët e përfshirë në protestë duke i cilësuar si përfaqësues politikë që nuk distancohen nga dhuna, si dhe hodhi akuza ndaj analistëve e medieve që sipas tij po nxisin aktet vandaliste në rrugë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






