Transmetuar më 21-10-2026, 12:57

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar marrjen e masave të ashpëra ndaj personave të përfshirë në akte dhune dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave të ditëve të fundit në kryeqytet.

Gjatë një takimi me përfaqësues të sistemit bankar, kreu i ekzekutivit bëri të ditur se po hartojë një paketë të re masash ligjore, e frymëzuar nga modelet e zbatuara në Francë dhe Itali për menaxhimin e tubimeve të dhunshme.

Rama deklaroi se të gjithë përgjegjësit do të përballen me pasojat ligjore dhe do të detyrohen të dëmshpërblejnë materialisht çdo dëm të shkaktuar:

“Ana tjetër e medaljes se të gjithë ata që kanë ngritur dorën kundër shtetit, policinë, dhe kanë dëmtuar pronën publike dhe private do ta ketë hijen e shtetit nga pas deri kur të shlyejnë dëmin që kanë bërë. Franca doli me paketën e vet, Italia doli me paketën e vet. Ne kemi bashkëpunuar me të dyja palët për paketën tonë, e cila ka edhe disa specifika sepse këtu nuk është çështje e flamës së Antifës, që presidenti Trump e ka shpallur organizatë terroriste. Nuk është vetëm çështja e pagesave nën dorë të subjekteve të caktuara dhe krimit të organizuar për djem të çoroditur periferish, për të mitur që vijnë dhe ngrenë gurin. Këtu ka edhe ndërhyrje malinje të lidhura me pozicionin e Shqipërisë dhe me një përpjekje djallëzore për të yshtur urrejtje fetare.”

Kreu i qeverisë ngriti gjithashtu dyshime se prapa incidenteve në rrugë mund të qëndrojnë financime nga krimi i organizuar dhe ndërhyrje të jashtme malinje me qëllim destabilizimin e vendit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit