

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se gjatë protestave të ditëve të fundit është neutralizuar një dron i pajisur me lëndë eksplozive, i cili sipas tij kishte si synim goditjen e godinës së Kryeministrisë.
Kreu i qeverisë deklaroi se aktet e dhunës kishin si qëllim parësor provokimin e forcave të rendit për të nxitur një përshkallëzim të ngjashëm me ngjarjet e 21 Janarit.
Në fjalën e tij mbi menaxhimin e situatës dhe reagimin e Policisë së Shtetit, Rama u shpreh:
“Donin të provokonin një tjetër 21 Janar, për të provokuar policinë, duke, larg qoftë, krijuar një situatë simetrike me 21 Janarin. Kemi qenë shumë të vetëdijshëm. Kemi neutralizuar edhe një sulm me dron me eksploziv ndaj Kryeministrisë. Me këtë vetëdije ka qenë një vijë e kuqe shumë e qartë për të gjithë. Edhe ata që janë me kapuç janë fëmijët e këtij vendi. Janë të verbër, janë të manipuluar, janë të braktisur, ndoshta ndonjëri edhe nga vetë familja e vet, por janë fëmijët e këtij vendi. Dhe është e frikshme të shikosh se si nëpër ekrane njerëz që marrin përsipër të përfaqësojnë opinionin publik, akuzojnë Policinë e Shtetit për dhunë disproporcionale. Në Francë raporti është 1 me 2.5, në Itali raporti është 1 me 2. Kush ankohet se ishte aty për paqe, duhet ta dijë se nuk duhet t’u shkojë nga mbrapa. Se policia nuk futet në turmë për të bërë balet, por për të goditur ata që e godasin. Kush rri rreth tyre është me ata dhe jo me paqen dhe me protestën e qetë.”
Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur protestat e studentëve dhe trupës akademike po vijojnë në rrugët e kryeqytetit, ndërsa pretendimet për ushtrim dhune nga ana e forcave të policisë mbeten në qendër të debateve publike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






