Transmetuar më 21-10-2026, 11:10

TIRANË — Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), Sandër Kovaçi, ka deklaruar nisjen zyrtare të bojkotit të procesit mësimor në të gjitha universitetet publike në vend, duke hyrë në fuqi këtë të mërkurë, më 21 tetor.

Në një prononcim për mediat, Kovaçi bëri me dije se vendimi u mor njëzëri nga kryesia e sindikatës gjatë një mbledhjeje të zhvilluar në sheshin e protestës, në solidaritet me studentët dhe në mbrojtje të së drejtës së tyre për tubim paqësor.

Përmes një deklarate zyrtare, sindikata parashtroi motivet e këtij vendimi ekstrem:

“Studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri jete e prone, për të drejtën e llogaridhënies etj. Përgjigjja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, bor heshtja dhe, që nga 13 tetori dhe në vijim, edhe dhuna ekstreme. Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë. Pedagogët ndajnë të njëjtat opinione me studentët në lidhje me zhvillimet politike, ekonomike, korrupsionin galopant, mungesën e meritokracisë etj.”

Sindikata u bëri thirrje autoriteteve shtetërore dhe drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë që të ndalin përdorimin e forcës, të kryejnë një hetim të pavarur për ngjarjet nga 13 tetori, si dhe të mos marrin asnjë masë disiplinore ndaj pedagogëve dhe studentëve pjesëmarrës.

Kovaçi nëvizoi se ky bojkot përfshin pjesëmarrje aktive në protestë, ku trupa akademike do të mblidhet çdo ditë në orën 10:00 përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, ndërsa garantoi se orët e humbura do të kompensohen në vijim sapo studentët të marrin përgjigjet e duhura.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit