

TIRANË — Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka zyrtarizuar dhe nisur këtë të mërkurë bojkotin e plotë të procesit mësimor në të gjitha universitetet publike të vendit, në shenjë solidariteti me studentët që protestojnë prej tetë ditësh.
Vendimi u mor njëzëri nga kryesia e sindikatës pas përshkallëzimit të ngjarjeve, ndërsa bojkoti ka hyrë në fuqi më 21 tetor dhe do të vijojë pa afat deri në një njoftim të dytë.
Në deklaratën zyrtare të SPUSH-it theksohet se pedagogët nuk mund të vijojnë normalisht punën teksa studentët përballen me reagimin e autoriteteve:
“Studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri jete e prone, për të drejtën e llogaridhënies etj. Përgjigjja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që nga 13 tetori dhe në vijim, edhe dhuna ekstreme. Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë. Pedagogët ndajnë të njëjtat opinione me studentët në lidhje me zhvillimet politike, ekonomike, korrupsionin galopant, mungesën e meritokracisë etj.”
Përmes këtij njoftimi, sindikata i ka parashtruar disa kërkesa prerëse autoriteteve shtetërore:
“Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë; Hetimin e pavarur dhe transparent në lidhje me përdorimin e forcës që nga data 13 tetor e në vijim, si dhe vënien para përgjegjësisë së atyre që e kanë urdhëruar dhe ushtruar këtë dhunë të pashembullt; Trajtimin e ligjshëm dhe dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar; Plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve.”
Sindikata u ka bërë thirrje drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë që të mos marrin masa disiplinore ndaj trupës pedagogjike apo studentëve. Përveç pezullimit të mësimit, pedagogët do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik për të marshuar, duke garantuar se orët e humbura do të kompensohen sapo kërkesat e studentëve të marrin përgjigje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






