Transmetuar më 20-10-2026, 22:23

Një skenë prekëse dhe e dhimbshme është regjistruar pak minuta më parë në vendin e ngjarjes ku 46-vjeçari Ismet Habili u gjet i vrarë me armë zjarri brenda automjetit të tij, pranë zonës së stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet.

Në vendngjarje ka mbërritur i tronditur djali i viktimës. Sipas pamjeve të siguruara nga media, 18-vjeçari dëgjohet duke lëshuar thirrje të dhimbshme dhe duke kërkuar të atin, ndërsa tenton të kalojë perimetrin e policisë.

Ku është plaku? Ku është baba im? Ikni! Ku e kam babën? Ku është babi?”, thërret ai i dëshpëruar duke shtyrë të tjerët që përpiqen ta qetësojnë dhe ta mbajnë larg mjetit ku ndodhet trupi i pajetë i të atit.

Forcat e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e plota dhe shkaqet e këtij atentati të rëndë.

Ngjarja u raportua rreth orës 20:20, kur në Sallën Operative mbërriti njoftimi për një automjet të aksidentuar në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”.

Policia shkoi menjëherë në vendngjarje dhe brenda një automjeti tip “Volvo” gjeti shtetasin me iniciale I. H., pa shenja jete.

Nga verifikimet e mëtejshme u bë i mundur identifikimi i viktimës si Ismet Habili.

Sipas Policisë, dyshimet e para janë se Habili është qëlluar me armë zjarri, ndërsa rrethanat dhe dinamika e ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e autorit ose autorëve të mundshëm.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit