

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë të enjten, më 22 tetor, në orën 10:00, seancën plenare të radhës, në një kohë kur Tirana po përballet me protesta të studentëve dhe qytetarëve.
Sipas rendit të ditës, të miratuar me urdhër të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, një nga çështjet kryesore do të jetë interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Në seancë janë parashikuar gjithashtu dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj. Projektligje dhe marrëveshje në shqyrtim
Përveç interpelancave, deputetët do të shqyrtojnë një sërë projektligjesh dhe marrëveshjesh, mes tyre ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, si dhe ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave.
Në rendin e ditës janë përfshirë edhe projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit, si dhe projektligji për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Një tjetër pikë e rëndësishme është projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.
Seanca plenare do të përmbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, ku deputetët do të kenë mundësi të marrin fjalën sipas afateve të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






