

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar deputetët e Partisë Socialiste gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, duke u kërkuar të reagojnë për situatën e krijuar nga protestat dhe të mos qëndrojnë në heshtje.
Gjatë mbledhjes, Rama ka shprehur pakënaqësinë për mungesën e reagimeve publike nga deputetët socialistë, duke theksuar se kjo sjellje po krijon perceptimin se ata janë fshehur nga debati publik.
“Populli ju kërkon te ‘Pasqyra’, atje ka heshtje. Heshtja po krijon konspiracionin se deputetët janë fshehur. Po çfarë më merreni me politikë në këto ditë?”, mësohet të ketë deklaruar Rama gjatë takimit me deputetët e tij.
Ndërkohë, pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, ka përsëritur thirrjen për dialog mes studentëve protestues dhe qeverisë.
Balla u shpreh se studentët duhet të dëgjohen dhe se kryeministri ka ofruar mundësinë e zhvillimit të një tryeze dialogu për të diskutuar kërkesat e tyre.
“Sot besoj që është tepër e qartë, pa dyshim që studentët duhet të dëgjohen, dhe qeveria, kryeministri ka ofruar tryezën ose, le të themi, sheshin e dialogut.
Ky unë mendoj që është momenti i duhur për t’u ulur me studentët, studentët e thashë meritojnë të dëgjohen”, deklaroi Balla.
Deklaratat vijnë në një moment kur protestat vijojnë të mbajnë në fokus zhvillimet politike dhe reagimin e qeverisë ndaj kërkesave të studentëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






