Transmetuar më 20-10-2026, 15:08

Gjykata e Lartë ka njoftuar shtyrjen e seancave gjyqësore, me përjashtim të çështjeve urgjente, pas dëmeve të shkaktuara nga zjarri i rënë më 17 tetor 2026, gjatë protestave.

Sipas njoftimit zyrtar, zjarri ka shkaktuar dëme materiale dhe në infrastrukturën e institucionit, duke prekur edhe dosje gjyqësore. Situata ka ndikuar në zhvillimin normal të veprimtarisë së gjykatës, duke bërë të nevojshëm verifikimin e dëmeve dhe vlerësimin e gjendjes së dokumentacionit.

Seancat do të mbeten të shtyra deri në përfundimin e procesit të verifikimit të dëmeve dhe rikthimin e kushteve të nevojshme për vijimin e rregullt të punës në institucion.

Gjykata e Lartë bën me dije se ka angazhuar kapacitetet njerëzore dhe ka marrë masat e nevojshme për përballimin e situatës. Prioritet mbetet identifikimi dhe verifikimi i dokumentacionit gjyqësor të dëmtuar, si dhe garantimi i integritetit të dosjeve.

Subjektet që do të rezultojnë të prekura nga kjo situatë do të njoftohen individualisht përmes të dhënave të tyre të kontaktit.

Ndërkohë, për datat e reja të zhvillimit të seancave, palët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë do të informohen përmes faqes zyrtare të internetit dhe kanaleve zyrtare të komunikimit të Gjykatës së Lartë.

Njoftimi i plotë i Gjykatës së Lartë

Si pasojë e zjarrit të shkaktuar gjatë protestave, në datën 17 tetor 2026, ambientet e Gjykatës së Lartë kanë pësuar dëmtime materiale dhe në infrastrukturë, përfshirë edhe dosje gjyqësore. Kjo situatë e jashtëzakonshme ka ndikuar në kushtet e zhvillimit normal të veprimtarisë gjyqësore, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave për vlerësimin e plotë të dëmeve dhe garantimin e integritetit të dokumentacionit gjyqësor.

Në këto rrethana, seancat gjyqësore të planifikuara për t’u zhvilluar në Gjykatën e Lartë, përveç çështjeve me natyrë urgjente, do të shtyhen deri në përfundim të procesit të verifikimit të dëmeve, evidentimit dhe vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore, si dhe për të rikthyer kushtet e nevojshme për vijimin e rregullt të veprimtarisë së institucionit.

Gjykata e Lartë ka angazhuar të gjitha kapacitetet e saj njerëzore dhe ka ndërmarrë me përgjegjësi e përkushtim të plotë çdo masë të nevojshme për përballimin e kësaj situate të paprecedentë. Prioriteti i Gjykatës mbetet vlerësimi i saktë i dëmeve, identifikimi dhe verifikimi i dokumentacionit gjyqësor të dëmtuar. Subjektet që do të rezultojnë të prekur nga kjo situatë do të njoftohen individualisht nëpërmjet të dhënave të tyre të kontaktit.

Punonjësit e Gjykatës së Lartë janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka vijimësia e proceseve gjyqësore dhe për ndikimin që kjo situatë mund të ketë te palët ndërgjyqëse, përfaqësuesit e tyre ligjorë dhe të gjithë përdoruesit e sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, në përballimin e këtyre rrethanave, të cilat kërkojnë kohën dhe kujdesin maksimal për të garantuar vijimin e sigurt dhe të rregullt të veprimtarisë gjyqësore.

Gjykata e Lartë mbetet e vendosur dhe thellësisht e përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj kushtetues, në garantimin e vijimësisë së drejtësisë dhe në mbrojtjen e të drejtave të palëve, duke vepruar me përgjegjësi dhe transparencë.

Për datat e reja të zhvillimit të seancave gjyqësore, palët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë do të informohen në vijim përmes faqes zyrtare të internetit dhe kanaleve zyrtare të komunikimit të Gjykatës së Lartë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit