

Deputeti i Partisë Socialiste, Arbian Mazniku, thotë se Kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen përballë revoltës studentore, duke vlerësuar se qeveria ushtron mandatin e marrë nga votuesit me objektiv kryesor integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Mazniku tha se kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmend që të japë dorëheqjen pavarësisht revoltës studentore apo qytetare.
“Nuk ka ndërmend. Nuk ka një mandat personal, ushtron mandatin e PS-së me 800 mijë vota. Është me një objektiv të caktuar për integrimin e Shqipërisë në BE dhe ka marrëveshje me shqiptarët”, tha Mazniku.
Lidhur me përplasjet mes protestuesve dhe forcat e rendit, deputeti socialist mbrojti veprimet e Policisë së Shtetit, duke i cilësuar ato si përpjekje për të ruajtur proporcionalitetin ndaj dhunës e dëmtimeve të pronës.
Ai u shpreh se në rast të përdorimit të dhunës nga qytetarët, policia ka të drejtë të përdorimit të forcës proporcionale, ndërsa nuk mohoi dhe faktin se ka raste të tejkalimit të kompetencave dhe nevojës për verifikime.
“Gjuha është e rëndësishme. Kur vjen puna te reagimi i policisë, janë studentë, kur vjen te thyerja e dyqaneve, janë protestues. Protestuesit kanë të drejtë të protestojnë dhe policia është aty për të ruajtur të drejtën e tyre.
Në rastin që ka përdorim të dhunës nga protestuesit, policia ka detyrim të përdorë dhunë proporcionale, siç është duke ndodhur edhe në qytetet e Evropës. Nëse ka tejkalim, duhet ndjekur dhe të merren masat respektive. Reagimi i policisë shqiptare është shumë herë më i përmbajtur se në protestat në Itali, Francë. Parimi i përgjithshëm, policia është duke tentuar të mbajë proporcionalitetin”, tha Mazniku.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






