

TIRANË, 20 Tetor 2026 — Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë (SPAKMSH) ka dalë me një deklaratë zyrtare në mbështetje të protestës studentore, duke dënuar dhunën e policisë, sulmet ndaj punonjësve të medias dhe dëmtimin e pronës publike e private.
Përmes kësaj deklarate, SPAKMSH shprehu solidaritetin me studentët, gjimnazistët dhe punonjësit e arsimit, ndërsa kërkoi hetim të pavarur e transparent për rastet e abuzimit me forcën nga ana e Policisë së Shtetit. Sindikata nëstabilizoi se ruajtja e rendit nuk mund të përdoret si arsyetim për ushtrimin e dhunës apo pengimin e punonjësve të medias gjatë raportimit në terren.
Gjithashtu, SPAKMSH njoftoi mbështetjen për marshimin e solidaritetit të thirrur nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), i cili do të zhvillohet këtë të martë, më 20 tetor, në orën 10:00, përpara Universitetit Politeknik të Tiranës me moton “Stop dhunës ndaj studentëve”.
DEKLARATË PUBLIKE
Në solidaritet me studentët dhe në mbrojtje të punonjësve të medias Tiranë, 19 tetor 2026 Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë shpreh solidaritetin e plotë me studentët, gjimnazistët dhe qytetarët që protestojnë për dinjitet, të drejta dhe një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.
Në ditën e shtatë të protestës, kërkesa për dorëheqjen e Kryeministrit duhet të trajtohet me përgjegjësi politike. Mbështesim të drejtën e protestuesve për ta kërkuar këtë ndryshim në mënyrë paqësore, pa u përballur me dhunë, frikësim apo ndëshkim. Dënojmë çdo përdorim të pajustifikuar të forcës nga Policia e shtetit. Kërkojmë hetim të pavarur e transparent të rasteve të denoncuara dhe përgjegjësi për çdo abuzim. Ruajtja e rendit nuk mund të justifikojë goditjet dhe trajtimin poshtërues të qytetarëve.
Kundërshtojmë goditjet, kërcënimet dhe pengimin e gazetarëve, operatorëve e fotoreporterëve. Policia duhet të garantojë raportimin e lirë dhe të sigurt. Asnjë pjesëmarrës në protestë nuk ka të drejtë të sulmojë punonjësit e medias apo pajisjet e tyre. Dokumentimi i ngjarjeve është në interes të publikut dhe duhet të mbrohet.
Shprehim solidaritet me pedagogët dhe mësuesit dhe mbështesim qëndrimet e SPUSH-së dhe SPASH-it në mbrojtje të të drejtave të studentëve, nxënësve dhe punonjësve të arsimit. Kundërshtojmë presionin dhe kërcënimet politike ndaj tyre. Çdo përgjegjësi individuale duhet të përcaktohet mbi fakte dhe përmes procedurave ligjore.
Dënojmë shkatërrimin e bizneseve, pronës publike dhe institucioneve artistike e kulturore. Këto veprime nuk justifikojnë dhunën ndaj protestuesve dhe nuk mund të përdoren për të shpërfillur kërkesat e tyre.
Si përfaqësues të artit, kulturës dhe medias, nuk mund të qëndrojmë spektatorë. Të rinjtë meritojnë arsim, punë dhe hapësira artistike e kulturore ku të zhvillohen. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për politikat e saj dhe t’i japë përgjigje kërkesës për ndryshim. SPAKMSH mbështet marshimin e solidaritetit të thirrur nga SPUSH më 20 tetor, ora 10:00, në sheshin përpara Universitetit Politeknik të Tiranës, me mesazhin “Stop dhunës ndaj studentëve”. U bëjmë thirrje artistëve dhe punonjësve të kulturës e medias të bashkohen paqësisht në mbrojtje të të rinjve dhe dinjitetit njerëzor.
Solidaritet me studentët dhe punonjësit e arsimit!
Ndal dhunës dhe pengimit të gazetarve dhe operatorve të medias!
Përgjegjësi institucionale dhe respekt për vullnetin qytetar!
SINDIKATA E PAVARUR E ARTIT, KULTURËS DHE MEDIAS TË SHQIPËRISË SPAKMSH
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






