

Policët janë surprizuar sonte nga vendimi i kryeministrit Edi Rama, pasi ai u dha 500 euro më shumë nga sa kishte premtuar në mëngjes.
Në takimin me zinxhirin komandues policor që zhvilloi sot në Ministrinë e Brendshme, Rama tha se do të shpërblente me 2500 euro çdo polic në frontin kundër protestuesve.
Ai nuk dha një kohë se kur do të merrej ky vendim dhe për shumëkënd shpallja sonte ishte e papritur.
Dhe shuma ishte më e lartë. Ndërsa njoftoi 2.500 euro shpërblim ai e rriti sonte në gatishmëri 270 mijë lekë për polic, ose plot 3 mijë euro me kursin aktual të këmbimit valutor.
Në vendimin që bëri publik, Rama njoftojnë i jepet shpërblim financiar në masën prej 269 120 (dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet) lekësh secilit nga 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.
Rama thotë në vendimin e firmosur prej tij se paratë do të merren nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për 2026.
Vendimi i sotëm vjen pasi për dy ditë rresht policia ka vënë në zbatim një strategji efektive për të mbajtur larg protestuesit nga Kryeministria duke ashpërsuar dhunën ndaj tyre.
Vendim i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Tetor 2026:
V E N D I M PËR
DHËNIE SHPËRBLIMI PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT DHE PËR NJË SHTESË NË BUXHETIN E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, MIRATUAR PËR VITIN 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënie shpërblimi financiar në masën prej 269 120 (dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet) lekësh për 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.
2. Në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin “Shpenzime korrente” të programit buxhetor “Policia e Shtetit”, shtohet fondi prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh.
3. Efekti financiar, në shumën prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2026.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përcakton listën emërore të punonjësve të policisë përfitues bazuar në dokumentacionin justifikues dhe kryen procedurat për dhënien e shpërblimit.
5. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






