

TIRANË, 19 Tetor 2026 — Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka reaguar publikisht lidhur me vendimin e qeverisë për shpërblimin e efektivëve të Policisë së Shtetit të angazhuar gjatë protestave studentore, duke e cilësuar atë si pjesë të një politike më të gjerë për vlerësimin e profesioneve kyçe në shërbimin publik.
Sipas Vengut, ushtarakët, punonjësit e policisë, arsimtarët, mjekët, infermierët dhe zjarrfikësit duhet të zënë vendin kryesor në piramidën e pagave të administratës shtetërore, për shkak të përgjegjësisë së drejtpërdrejtë që mbajnë për ruajtjen e rendit, mbrojtjen e vendit dhe kujdesin ndaj shoqërisë.
Në reagimin e tij, deputeti nënvizoi se rivendosja e rendit në rrugë duhet të shoqërohet me një rivendosje të vlerave dhe përgjegjësive shoqërore, duke vlerësuar dhe shpërblyer personat që janë në shërbim të shtetit.
Deklarata vjen pasi Kryeministri Edi Rama njoftoi gjatë një takimi me drejtuesit e Policisë së Shtetit një shpërblim prej 2,500 eurosh për çdo efektiv të angazhuar në terren gjatë protestave, si dhe një rritje të konsiderueshme të pagave për Policinë e Shtetit duke filluar nga 1 janari.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






