Transmetuar më 19-10-2026, 15:45

Ervin Salianji ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se pagesa prej 2500 eurosh për punonjësit e Policisë, në kulmin e protestave, synon të sigurojë besnikërinë e efektivëve ndaj qeverisë.

Salianji denoncoi sot se Rama “nuk po shpërblen policinë, por po blen besnikërinë e saj”, ndërsa e akuzon se po përdor paratë e taksapaguesve për të përballuar protestat dhe presionin politik.

Ai ngre gjithashtu akuza për mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar Policia e Shtetit gjatë viteve të qeverisjes së Ramës, duke përmendur pagat, orët shtesë, bonuset, kuponin ushqimor dhe mënyrën e promovimit në radhët e policisë.

Salianji deklaron se një qeverisje pa Ramën do të garantonte paga më të larta, të drejta më të forta për efektivët dhe promovim mbi bazën e meritës.

E plotë

Rama porositësi me pagesë i dhunës! 2500 Euro për të dhunuar fëmijët e shqiptarëve! 2500 euro për të ruajtur Edi Ramën nga populli që duhet të përfaqësonte!

Edi Rama sot nuk po shpërblen policinë, por po blen besnikërinë e saj për të mbrojtur pushtetin dhe për t’iu shmangur llogaridhënies. Po i nxit me pagesë shtesë në kulmin e përplasjeve ku koston në emër të pushtetit po e marrin punonjesit e policisë e ku shumë policë po mendojnë të tërhiqen dhe bashkohen me protestuesit!

Ky që prej 14 vitesh e ka degjeneruar Policinë e Shtetit: me paga të ulëta, orë shtesë të papaguara, bonuse të mohuara, tallje me kuponin ushqimor, promovim të lidhjeve me krimin dhe goditje ndaj policëve të ndershëm.

Sot, kur i rrezikohet pushteti, me paratë e taksave të qytetarëve, të cilët i ka varfëruar, nxit policinë të përballet me dhunë me protestuesit që kërkojnë llogari.

Pa Edi Ramën, Shqipëria do të ketë një polici dinjitoze! Me paga të larta, me të drejta të garantuara dhe me promovim mbi bazën e meritës, jo të bindjes ndaj pushtetit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit