Transmetuar më 19-10-2026, 14:28

Kamëz, 19 tetor 2026 – Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në rrugën “Petrela”, në Bathore të Kamzës, ku një punonjës i Policisë Ushtarake vrau me armën e shërbimit dy vëllezër dhe plagosi rëndë vëllain e tretë.

Ngjarja dyshohet se ka nisur pas një konflikti mes tre vëllezërve dhe efektivit Ngushëllim Manzi, të cilët ishin fqinjë. Shkak i përplasjes dyshohet të ketë qenë ndërtimi i një muri rrethues pranë banesave të vëllezërve.

Sipas të dhënave paraprake, debati për kufirin e pronës dhe ndërtimin e murit ka degjeneruar në konflikt fizik dhe më pas në përdorimin e armës së zjarrit. “Mos e ndërto avllinë këtu” dyshohet të ketë qenë një nga përplasjet verbale që parapriu përshkallëzimin e situatës.

Tre vëllezërit, me origjinë nga Tropoja, janë identifikuar si Selam Islamaj, rreth 30 vjeç, Nazmi Islamaj, 48 vjeç, dhe Shefqet Ismailaj, rreth 44 vjeç.

Si pasojë e të shtënave, Selam Islamaj humbi jetën në vendngjarje, ndërsa dy vëllezërit e tij u dërguan në spital. Nazmi Islamaj nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë më vonë, ndërsa Shefqet Ismailaj vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.

Autori i dyshuar, Ngushëllim Manzi, rreth 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake, u arrestua pak pas ngjarjes. Sipas policisë, ai e ka kryer krimin me armën e shërbimit.

Pas arrestimit, Manzi nuk ka dhënë deklarata lidhur me ngjarjen. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar edhe një pistoletë, e dyshuar si arma e përdorur në krim.

Grupi hetimor po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e dinamikës së konfliktit dhe sqarimin e rrethanave që çuan në përshkallëzimin e tij deri në përdorimin e armës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit