Transmetuar më 19-10-2026, 14:33

Apeli përfshin edhe një thirrje drejtuar qytetarëve të Tiranës që të solidarizohen me studentët

Tiranë – Një deklaratë e përbashkët e nisur nga një grup prej 140 pedagogësh dje në mesditë, pasoi trefishimin e numrit në mbrëmje ndërsa sot ka arritur në 735. Tashmë mes tyre nuk janë më vetëm emra lektorë, por edhe shumë profesorë, doktorë shkencash, artistë, mjekë psikiatër, inxhinierë, ekonomistë, juristë, arkitektë, agronomë, planifikues urbanë, etj.

Nënshkruesit e deklaratës kërkojnë njëzëri dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare dhe njëkohësisht dënojnë dhunën policore ndaj studentëve.

Në deklaratën e nënshkruar, ata shprehin shqetësim për atë që e cilësojnë si përdorim të pajustifikuar të forcës nga Policia ndaj studentëve dhe kërkojnë që autoritetet të dëgjojnë kërkesat e të rinjve.

“I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare”, thuhet në deklaratë.

Për të firmosur deklaratën, është hapur dhe një peticion online që është firmosur deri tani nga 735 intelektualë.

Sipas tyre, një qeveri e tillë duhet të shërbejë për uljen e tensioneve, garantimin e stabilitetit institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

Një pjesë e fortë e apelit u drejtohet edhe punonjësve të Policisë. Nënshkruesit u kërkojnë efektivëve të mos përdorin dhunë ndaj studentëve dhe të mos zbatojnë urdhra që ata i konsiderojnë të paligjshëm.

“Mos harroni se ata që ju japin këto urdhra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju”, thuhet më tej në deklaratë.

Apeli përfshin edhe një thirrje drejtuar qytetarëve të Tiranës që të solidarizohen me studentët.

“I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës që, njësoj si në 1991, t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre”, deklarojnë pedagogët.

Deklarata e publikuar nga Forumi i Dialogut Politik e mbyll mesazhin me fjalët: “Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë”.

Shikoni listën e intelektualëve që kanë nënshkruar deklaratën

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit