Transmetuar më 19-10-2026, 14:25

Prishtinë, 19 tetor 2026 – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke u bërë thirrje institucioneve shqiptare që të dëgjojnë dhe të trajtojnë kërkesat e studentëve.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu tha se zhvillimet në Shqipëri po ndiqen me shqetësim edhe në Kosovë, duke theksuar lidhjen e veçantë mes dy vendeve.

“Shumëkush në Kosovë i ka përcjellë zhvillimet në Shqipëri. Ajo çfarë po ndodh atje sigurisht që na shqetëson të gjithëve, sepse Shqipëria për ne është shtëpi”, deklaroi Haxhiu.

Ajo pohoi se Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e Shqipërisë kanë përgjegjësinë për të trajtuar kërkesat e studentëve që kanë dalë në protestë.

Haxhiu u shpreh gjithashtu kundër përdorimit të dhunës, duke nënvizuar se ajo duhet të ndalet nga të dyja palët.

“Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e kanë për obligim që t’i trajtojnë kërkesat e studentëve. Natyrisht që ne nuk e mbështesim dhunën, ajo duhet të ndalohet nga të dyja palët”, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Në vijim, Haxhiu kërkoi një qasje serioze nga institucionet shqiptare ndaj protestave, duke paralajmëruar se qëndrimet arrogante mund të thellojnë pakënaqësinë dhe të nxisin më tej protestat.

“Është e rëndësishme qasja serioze në raport me këto protesta dhe jo arroganca. Mendoj që arroganca vetëm sa i nxit protestat”, u shpreh ajo.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit