Transmetuar më 19-10-2026, 13:34

Policia e Tiranës sapo ka dhënë detaje të reja për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Bathore, ku dy vëllezër humbën jetën dhe një i tretë mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi në rrugën “Petrela”, ku pas një konflikti për motive të dobëta mes Ngushëllim Manzit, rreth 40 vjeç, dhe tre vëllezërve Selam Islami, Nazmi Islami dhe Shefqet Islami, situata është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Nga të shtënat, Selam Islami, rreth 30 vjeç, humbi jetën në vend, ndërsa Nazmi Islami, 48 vjeç, dhe vëllai tjetër, Shefqeti rreth 44 vjeç, u transportuan në spital.

Pavarësisht ndihmës mjekësore, edhe 48-vjeçari Nazmi Islami humbi jetën, ndërsa vëllai i tretë vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.

Policia bën me dije se autori i dyshuar, Ngushëllim Manzi, është kapur dhe arrestuar menjëherë pas ngjarjes.

Sipas njoftimit, 40-vjeçari është punonjës i Policisë Ushtarake.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe një pistoletë, e cila dyshohet se është arma e përdorur në krim.

Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për sqarimin e rrethanave të konfliktit që përfundoi me dy viktima dhe një të plagosur.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit